Pas katër netëve të suksesshme “sold out” në skenën e Teatrit Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, baleti “Carmen” nis një tjetër etapë të rëndësishme në rrugëtimin e tij artistik.
Produksioni shqiptar do të ngjitet më 23 dhe 24 maj në skenën prestigjioze të Teatro Comunale di Bologna, duke çuar artin shqiptar përpara publikut italian.
Shfaqja, e cila u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata në Tiranë, solli në skenë interpretimet mbresëlënëse të Anbeta Toromani, Adela Muçollari, Alessandro Macario, Dion Gjinika dhe Luca Curreli.
Përmes një gjuhe skenike të fuqishme, artistët sollën emocion, dramë dhe intensitet artistik, duke i dhënë jetë historisë universale të dashurisë dhe lirisë.
“Carmen” u shndërrua në një nga produksionet më të rëndësishme të sezonit artistik në TKOBAP, jo vetëm për nivelin interpretativ, por edhe për mënyrën se si riktheu vëmendjen te fuqia shprehëse e baletit bashkëkohor.
Prezantimi në Bolonjë përfaqëson një moment të rëndësishëm për trupën artistike shqiptare dhe për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në një nga teatrot më të njohur të Italisë, artistët shqiptarë do të sjellin në skenë elegancën, energjinë dhe profesionalizmin që karakterizoi këtë produksion që prej premierës së tij në Tiranë.
Ky sukses konfirmon edhe një herë rolin në rritje të Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor si një ambasador i rëndësishëm i artit shqiptar në skenat më prestigjioze europiane.
Lini një Përgjigje