TAGS-AT E JAVËS

Kulture19 Maj 2026, 10:54

Korifejt e Arteve dhe ndotja Kaçi- Malaj- Bakalli në Universitetin e Arteve të Tiranës

Shkruar nga Lorenc Vajqari

Universiteti i Arteve; 30 vite nepotizëm dhe konflikt interesi 

Korifejt e Arteve dhe ndotja Kaçi- Malaj- Bakalli në Universitetin e

Për 60 vjetorin u thirrën Korifejtë... po ata nuk e bëjnë dot alibinë e të gjallëve

Në 60 vjetorin e Universitetit të Arteve të munguarit e mëdhenj nuk ishin vetëm artistët e amshuem! Ata i kishin thirrur, t’i nderonin!

Mungonin një pjesë e mirë e profesoratit. Ata që mbushën faqet dhe ekranet e mediave kombëtare vetëm pak javë më parë. Ata që denoncojnë institucionin për mashtrim, padrejtësi dhe mungesë standardizimi të titujve akademik*.  

Mjaft të shohësh fotot e shpërndara në rrjetet sociale të institucionit dhe aty do i gjesh të gjithë. Ata që kanë lënë gjurmë dhe vulë. Edhe të munguarit!

Një Foto sa 30-vjet!

Në 60 vjet histori, vetëm këta të dy (i pari dhe i dyti në të majtë të fotos) janë autorët dhe aktorët që i dhanë fytyrën, formën, inferioritetin, veset e tyre 30 viteve, gjysmëjetës së Institutit-Akademisë-Universitetit të Arteve!

Kjo 2-shja nuk dorëzohet! Vdesin për protagonizëm! Edhe pse e dinë mirë se nuk kanë lënë gjë pa i bërë institucionit të vetëm arsimor të artit në këtë vend; ata nuk fshihen. Shikojini sa “modestë” duken! Me dorën e mamuthit që e zgjodhën vetë rektor të vazhdimësisë, po nderojnë prof. Fatmir Hysin, studiuesin dhe muzikologun që drejtoi Institutin në vitet e largëta 1991-1992.

Hiq nja dy drejtorë të tjerë që i komandoi partia e Berishës deri në 1997-ën e përgjakshme; nga kjo foto vetëm Z. Hysi hap dhe mbyll epokën e drejtuesve që nuk i zgjidhte shteti dhe partia.

Aktori Çaush Kastrioti mbretëroi si rektor plot 19 vjet (1997-2008/2016-2024), kurse aktori Malaj Petriti i bëri 8 vjet (2008-2016)*. Kur ndërronin stafetën e rektorllëkut, zinin sakaq, pa u ftoh fare, karriken e dekanit të dramës. Kaçi i bëri plot 16 vjet, por Petja ia kaloi me dekanllëkun: 17 vjet. Ky i fundit, sot aktron në diplomacinë folklorike kurse Kaçi i Pamposhtur, mbahet në punë si personalitet me kontribute të larta! Shtyn vitet e pensionit te stolat e një lokali përballë Galerisë FAB, pa hyrë një orë të vetme në auditor! Paga që merr, si pensionist i punësuar është stratosferike!

Për këtë shkelje dhe dhunim të buxhetit të shtetit, garant është pasardhësi i tij, skenografi në letra, Bakall Eraldi. 12 vjet zëvendës-rektor i procesit mësimor (2012-2024), herë nën Petjan e herë nën Kaçin, ai fitoi me gjys vote ekstra sepse bashkë me shef Kaçin hapën dhe mbyllën pazaret e titujve “Profesor në Arte”… po ajo ishte LOJA!

Ligji, Kundraligji dhe Viktimat

30 vitet e fundit, nga 60 gjithë e gjithë, janë vite të dramës së luajtur në kulisa, por që efektet i ka gërthitëse! Një “psikologe” pa diplomë, e punësuar me dokumenta të falsifikuara, përfaqësoi Universitetin e Arteve në komisionin që hartoi Ligjin për Arsimin e Lartë. Kush nuk u habit e kush nuk kundërshtoi asokohe. Askujt nuk i eci. Vendosi Malaj. Sot, atyre që kërkojnë t’u njihet Titulli, u thonë e ka fajin Ligji. Petjan nuk e keni më aty, alias-psikologen, laj-thaj aty e gjeni, oponencën për paaftësi ia kanë bërë vetëm studentët*… kolegët vazhdojnë t’i hanë kumbullat e tharta. Titullarët vazhdojnë ta përdorin. Shteti vazhdon të sfidohet përditë. Skandali me këtë falsifikatoren është fshehur duke falsifikuar të tjera akte shtetërore dhe raporte për Ministrinë e Arsimit e më tej. Kaç-Malaj-Bakalli e të tjerë janë autorë. Ai stan, atë bylmet!  

30 vite: nepotizëm dhe konflikt interesi

Kaçi ka emëruar me dorën e vet të birin, motrën, burrin e motrës.

Petja emëroi gruan, sapo mori spektrin e rektorllëkut! Tani, znj. ambasadoreshë nuk bën asnjë orë mësimi. Paga rrjedh në llogari.

Nën shembullin e bosave, Bakalli punëson djalin e motrës. Pedagog. Në katedrën e vet. Thonë që ka qenë personalisht(!) në komisionin e punësimit. Pastaj, e cakton nipin në komisionin e zgjedhjeve t’i ruajë votën përballë kandidatit kundërshtar. Bakalli fiton me gjys vote plus.

Kacelarja paguan vëllain e vet! Për merita të larta, që i dinë bosat, nuk e nxjerr njeri në pension!  

Ç’të mbjellësh, do korrësh

Çka mbollën këta këto 30 vjet i ka dhënë frytet! Me bollëk:

Nuk ka garë as virtyt! Nuk ka kut as standard vlerësimi! E trishtë dhe syçjerrëse:

Programe studimi ku nuk konkurron asnjë kandidat!

Programe studimi ku mezi bëhen bashkë 5-6-7 studentë!

Administrata fryhet me personel të padobishëm!

“Profesorë” fallco që bëjnë sikur preken nga padrejtësia ndaj profesoratit të ri e “solidarizohen” me ta ditën me diell, por janë ata vetë barrikadistët e përparimit normal sipas aftësive dhe meritës.

Prandaj nuk kishte asgjë për të festuar këtë 60-vjetor!

Korifejtë u ftuan, por ata s’kishin gjëprejgjëje në dorë… për të shpëtuar! 30 vitet e fundit gërryen gropën e të vetmit institucion të arsimit të lartë të arteve në Shqipëri.

… ka edhe më!

Shumë artistë të rinj, të dorëzuar para padrejtësive dhe absurditetit i cili këtu është shndërruar në status; të telendisur nga sorollatjet institucionale; i shkruajnë dhe ankohen te ish-profesori, ish-kolegu, gjithmonë artist, edhe pse kryeministër, Edi Rama! 

Në fakt, e bëjnë me naivitetin e njeriut të artit, me shpresën se vetëm ai mund t’ua kuptojë dertin, shkurt si artisti-artistit!

Por, shumë prej tyre kanë marrë përgjigje të tipit: “Po pse m’i thoni mua?! Ç’punë kam unë?!”

I kompleksuar prej kohësh… dmth që prej kohës kur ai vetë iku nga ky institucion, në njëfarë mënyre edhe si rebelim ndaj “pandryshueshmërisë” së kthyer në normë(!) dhe u mor thjesht me art apo edhe me politikë, Rama nuk do “të përfshihet”. Ka zgjedhur DISTANCIMIN!

Non sens! Ndoshta do reflektojë një ditë dhe do bëhet shtetar, jo asnjanëmbajtës!

Nën “pavarësinë” e pakushtëzuar të institucionit të lartë arsimor u ngjiz dhe gjalloi çaushizmi-malajizmi-bakallizmi vulgar.

Studentët po firojnë! Shkolla po ashtu!

Se kush do të rrojë prej këtyre… do ta shohim! 

Larg partishmërive apo etatizmit, Arti dhe Arsimimi në Arte duhen mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga Shteti si pasuri e Njeriut dhe e Kombit!/Pamfleti

________________    

*https://top-channel.tv/2026/03/19/pedagoget-e-arteve-ne-alarm-titujt-nuk-njihen-pedagoget-paralajmerojne-bojkot-mesimi-nese-smarrin-zgjidhje/

https://tvklan.al/pedagoget-e-arteve-bojkotuan-mesimin

*https://sq.wikipedia.org/wiki/Akademia_e_Arteve

*https://www.youtube.com/watch?v=nXHhwB_y-WA

60 vjetori i universitetit të arteve konflikt interesi 30 vite nepotizëm

2 Komente

  1. K
    KTH S

    Mediokriteti ne kulm, por harruan kryemediokrin fjalim mbajtes, « ydhin e revolucionit » Blendi Gonxhja.

    1. A
      Artisti

      Frrok çupi paska nderruar emer Lorenc vajqari

    Lini një Përgjigje