
Policia e Shtetit ka paraqitur si një arritje madhore për Qarkun e Elbasanit atë që në 2024 nuk ka pasur vrasje. Madje u raportua se kjo ndodhte pas 35 vjetësh, duke sjellë në vëmendje vitin 1989, kur sipas statistikave të policisë së sotme sërish nuk ka pasur vrasje.
Nuk dihet se për çfarë vrasje flet policia lidhur me Elbasanin, por të paktën një ka ndodhur dhe ka tronditur qytetin.
Enea Thomaraj humbi jetën si pasojë e një shpërthimi me tritol, që iu vendos një banese ngjitur me apartamentin ku viktima jetonte në qytetin e Elbasanit.
Thomaraj humbi jetën si pasojë e një atentati që ndodhi më 14 korrik, që nuk kishte lidhje me të, por fatkeqësisht në momentin që ndodhi shpërthimi ishte në banesën e tij, pa e ditur që e keqja do i vinte në atë formë. Thomaraj humbi jetën 3 muaj më pas, pa dalë asnjë moment nga koma.
Sot u raportua se në Elbasan nuk është shënuar asnjë vrasje përgjatë 2024-ës. Duket se policia ose nuk ka mbajtur mirë statistikat, ose ka gënjyer. Enea Thomaraj, viktimë e pafajshme, humbi jetën padrejtësisht në një ngjarje që nuk mund të fshihet për efekt statistikash.
“Përgëzoj strukturat e Policisë së qarkut Elbasan sepse rritja e forcës parandaluese mundësoi që gjatë vitit 2024 në këtë qark mos të ketë asnjë vrasje. Ky rezultat nuk ishte shënuar në këtë qark që nga viti i largët 1989”, deklaroi Ilir Proda, kreu i Policisë së Shtetit.
Lini një Përgjigje