
Policia ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë. Në një konferencë shtypi kreu i forcave të rendit Muhamet Rrumbullaku u shpreh se janë përfshirë 6 persona në ngjarje.
Ata janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Më saktë, në ngjarje ka qenë i përfshirë një shtetas shqiptaro-britanik, 4 britanikë dhe një portugez. Shtetasi portugez dyshohet se është personi që ka kryer vrasjen, ndërsa britanikët e kanë ndihmuar.
Deri më tani si shkak i krimit dyshohet të jetë gjakmarrja. Ndërkohë të 6 personat e përfshirë menjëherë pas krimit janë larguar jashtë vendit.
“Nga provat shkencore të siguruara, deklarimet dhe sekuestrimet në cilësinë e provës materiale të sipërpërmendura, nga Prokuroia pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë janë caktuar masat e sigurisë për 6 shtetas, si autorë të dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit, dhe konkretisht:
1. E. H., shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike,
2. R. R. S., shtetas portugez,
3. H. J. S., shtetas britanik,
4. H. B., shtetase britanike,
5. TH. M., shtetas britanik,
6. S. P. H, shtetas britanik,
Grupi hetimor vijon punën hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të organizimit dhe financimit, për ekzekutimin kriminal të shtetasit Ardian Nikulaj. Gjithashtu grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit", tha Rrumbullaku.
Nga hetimet e deritanishme, policia ka arritur të zbulojë se motori i përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin është furnizuar në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkoder. Autori ka pasur dhe një komunikim me rojën.
Ai ka qenë i kamufluar me të njëjtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar.
Motori dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës. Po ashtu policia zbuloi rrobat e autorit dhe falë gjurmëve të ADN-së u bë identifikimi. Shtetasi portugez ka qenë ai që ka qëlluar në drejtim të biznesmenit, ndërsa të tjerët ndihmuan në monitorimin e viktimës, ndërhyrjen te kamerat e sigurisë dhe largimin nga hoteli.
“Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe kryerjen së veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Policia e Shtetit e vlerësoi maksimalisht këtë ngjarje, për zbardhjen e së cilës grupi hetimor ka këqyrur, vlerësuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sërë provash të vlefshme që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm; Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm; Letërnjoftim; Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike. Njëkohësisht, grupi hetimor ka vijuar me veprime të shpejta procedurale si: marrje të deklarimeve, këqyrje dhe sekuestrim pamjesh filmike në vendin e ngjarjes, këqyrje të itinerarit të përshkruar nga autorët e dyshuar që lidhen me kohën dhe vendin para dhe pas kryerjes së ngjarjes së rëndë kriminale”, tha Rrumbullaku më tej.
Sipas tij, janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje.
“Nga veprimet procedurale të kryera për këtë ngjarje janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Përsa i përket automjeteve të përdorura për kryerjen e krimit nga autorët e dyshuar është dokumentuar përdorimi i tyre nga personat e dyshuar për një periudhë kohore për realizimin e vrasjes”, vijoi ai.
Lini një Përgjigje