Vrasja mafioze e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin të Lezhës është shumë afër zbardhjes.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin e Nikulajt një javë më parë. Grupi hetimor ka administruar prova me vlerë në qytetin e Lezhës, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Policia ka zbuluar sot se motori i përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin është furnizuar në një pikë karburanti në autostradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. Ndërkohë është shoqëruar për t’u pyetur punonjësin e karburantit i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.
Bëhet me dije se ai ka qenë i veshur me të njëjtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar. Dyshohet se autori është shtetas portugez. Policia ka rënë në gjurmët e tij dhe dyshohet se ka dalë nga territori shqiptar përmes doganës së Kapshticës.
Motori dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje. Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit.
Ditën e sotme Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmëve të autorit. Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj.
Gjatë kontrolleve janë gjetur në një banesë të braktisur rrobat të cilat dyshohet se janë të njëjtat që autori ka përdorur ditën e vrasjes. Rrobat janë dërguar në laborator për ekzaminim të mëtejshëm.
Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori I biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’.
Ky pallat në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja. Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Ndër personat e dyshuar si bashkëpunëtor është një anglez i prezantuar si turist. Në kamerat e pallatit në ndërtim i cili shfrytëzohet vetëm në katin përdhes për parkim shfaqet për disa minuta dhe turisti anglez, por policia nuk është e bindur nëse është realizuar një takim mes tij dhe vrasësit që ka qëndruar 8 orë në atë godinë.
Dyshimet e policisë shtohen edhe për faktin se gjatë 5 ditëve të qëndrimit të tij në Shëngjin, turisti ka qëndruar me kapele dhe ka qenë i kujdesshëm për të mos lënë pas gjurmë të tij. Ai ka arritur deri aty sa ka mbledhur edhe bishtat e cigareve që konsumonte. Policia shqiptare është në pritje të të dhënave nga homologët anglez në lidhje me personin që dyshohet si bashkëpunëtor i cili u largua nga Rinasi drejt atdheut të tij vetëm pak orë pas vrasjes.
Po ashtu burime bëjnë me dije që shtetasi anglez dyshohet të ketë qenë ai i cili ka ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë, për të parë lëvizjet e objektivit.
Ndërkohë po sot në një banesë të braktisur në Gjadër të Lezhës janë gjetur disa rroba të cilat dyshohet të jenë të autorit ku janë dërguar në laborator për ekzaminime të mëtejshme.
Autoritetet besojnë se ngjarja ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes, gjithashtu janë shpallur në kërkim ndërkombëtare 5 persona ndërsa pritet që të këtë një deklaratë zyrtare nga drejtoria vendore e Lezhës në lidhje me këtë ngjarje.
Informacionet më të fundit bëjnë të ditur se ekzekutori mendohet të jetë nga zona e Shkodrës dhe është i moshës nga 30 deri në 40-vjeç, ndërsa ka dyshime të forta që të jetë vrasës më pagesë që ka kryer edhe ekzekutime të tjera të njerëzve të njohur të botës së krimit në zonën e veriut por edhe më gjerë.
Si ndodhi ngjarja?
Kujtojmë se Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 Prill, pas pak mesdite kur sapo kishte hyrë dhe ishte ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. 50-vjeçari u qëllua me 7 plumba dhe një e kapi në ballë duke e lënë të vdekur në vend. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Autori, siç është parë nga pamjet e bëra publike, mbante një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Janë disa pista që po hetohen mbi këtë ngjarje, si ajo e gjakmarrjes, politike ose lidhjet me krimin.
Lini një Përgjigje