
Ditën e sotme është zbardhur vendimi i gjykatës së Korçës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Denis Meçes i arrestuar si autor i vrasjes së Egli Progës më 10 gusht 2024 në Pogradec.
Vrasja ndodhi në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec.
Për Denis Meçen policia e kishte referuar materialin për ‘vrasje me dashje’ ndërsa Prokuroria zbuti akuzën në ‘vrasje nga pakujdesia’ me argumentin se materialet që kishte sjellë policia e kualifikonin veprën penale në këtë akuzë.
Në vendimin e Gjykatës, zbulohet se Meçe pasi është larguar nga vendngjarja ka fjetur në makinë.
Më pas pasi është përmendur ka telefonuar avokatin dhe i ka kërkuar për ta shoqëruar në komisariat.
Në seancën gjyqësore të 12 gushtit në gjykatën e Korçës ai ka kërkuar ndjesë dhe ka thënë që është i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin.
"Avokati Eduart Muçi deklaroi në gjykatë se klienti I tij Denis Meçe nuk ka pasur për qëllim t'i fshihet drejtësisë largimi i tij menjëherë pas ngjarjes ka qenë i pavullnetshëm dhe në kushtet kur ka qenë i dehur.
Ai ka fjetur në automjet derisa është përmendur, ka telefonuar atë si avokat, dhe pasi i është shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, vetë i ka kërkuar për ta shoqëruar për në Komisariatin e Policisë.
Vullneti i tij ka qenë për të dhënë shpjegime në lidhje me sa ka ndodhur, pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e një shtetasi, dhe as të largohet, pavarësisht se pasoja është e rëndë dhe kemi të bëjmë me humbjen e një jete".
Garanci 1 mln lekë për të mos e futur në burg
Në dosje zbulohet dhe se avokati ka kërkuar garanci prej 1 mln lekësh për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ por gjykata nuk e ka pranuar.
"Sipas mbrojtjes, arrestimi në flagrance i këtij shtetasi duhet të cilësohet si i ligjshëm, por kërkohet që ndaj këtij shtetasi të caktohet një tjetër masë sigurimi, e ndryshme nga arresti në burg, mbajtur parasysh marzhin e dënimit që parashikon dispozita, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën si ka ndodhur ngjarja, qëndrimin e personit nën hetim, faktin që nuk ka qenë i dënuar më pare, faktin që nuk ekziston mundësia për t'u larguar apo për t'iu fshehur drejtësisë, faktin që nuk ka mundësinë e dëmtimit apo prishjes së provave. Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi "arrestin në shtëpi" parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose "Garancia pasurore" në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh.
Vetë shtetasi nën hetim Denis Meçe deklaroi se është dakord me sa parashtroi avokati. Ai kërkon ndjesë dhe është tepër i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin" shkruhet në vendim.
Më 12 gusht Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për Denis Meçen për akuzën e vrasjes nga pakujdesia' dhe 'detyrim me paraqitje' për tre të arrestuarit e tjerë të akuzuar për 'moskallëzim krimi'
Lini një Përgjigje