
Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë në Tiranë, ku dy persona humbën jetën në banesë pasi u asfiksuan nga rrjedhja e gazit.
Viktimat janë identifikuar si Altin Maksuti, i cili është pronari i banesës dhe Vladimir Bengu, i afërm i tij, përkatësisht 47 dhe 56 vjeç.
Mësohet se Altin Maksuti jetonte me familjen e tij në Greqi ndërsa prej disa kohësh ishte kthyer vetëm për të rikonstruktuar banesën në Tiranë.
Familjarët denoncuan në polici, pasi Maksuti dhe Bengu nuk po përgjigjeshin në celular. Pasi kanë shkuar në banesë dhe kanë hapur derën, oficerët e policisë i kanë gjetur të dy të pajetë me ngrohësen e gazit të ndezur.
Dyshohet se dy personat kanë qenë në gjumë dhe kanë harruar gazin ndezur. Ende nuk dihet nëse kanë ndërruar jetën ditën e djeshme apo sot. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një banesë në rrugën “Marije Kraja” rreth orës 17:20.
"Më datë 19.12.2024, rreth orës 17:20, në rrugën “Marije Kraja”, dyshohet se janë asfiksuar nga rrjedhja e gazit, pronari i banesës, shtetasi A.M, rreth 47 vjeç dhe një afërm i tij i largët shtetasi V.B, rreth 56 vjeç, të cilët kanë humbur jetën sipas konfirmimit të stafit mjekësor", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje