
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 42-vjeçarit në Berat.
Policia e Beratit bëri me dije se autori, 63-vjeçari Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha), pasi ka parë viktimën Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më pasi kali, sipas tij nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar.
"Mos e prek kalin se është i acaruar sot", citohet të ketë thënë autori i krimit.
Autori i ngjarjes ka dëshmuar në polici se pasi i ka thënë kështu,viktima e ka sharë nga familja dhe e ka ofenduar. Më pas, ai ka deklaruar se, pas këtyre sharjeve, në gjaknxehtësi e sipër, ai ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar me thikë.
Më pas, ai deklaron së ka shkuar në banesë,ka lidhur kalin në kasolle,ka marrë disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë,për ti shpëtuar policisë.
Nga ana e tyre,familjarët e viktimës,kanë deklaruar në polici se sherri filloi vetëm pse viktima i kishte prekur kalin me dorë. Ata kanë deklaruar se familjari i tyre nuk e ka sharë dhe as ofenduar,por pronari i kalit e ka qëlluar me thikë papritur,pasi i kishte thënë "mos e prek kalin" dhe viktima i ishte përgjigjur "ska asgjë të keqe".
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme në lagjen "Kala" në Berat.Viktima Keli Hoxha,42-vjeç,banues në Tiranë dhe lindur në Tropojë,nuk mundi dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat.
Autori u kap disa orë më vonë,i fshehur në "shpellën e memecit",pranë Kishës së Shën Mëhillit.Autori Kristo Mema (alias Kontandin Hoxha),ka kryer një vrasje në vitin 1993 në Berat,por pas ngjarjes ishte larguar në Greqi për rreth 25-vjet,ku kishte ndërruar edhe emrin.Për këtë vrasje ai nuk ka bërë asnjë ditë burg,pasi vrasja ishte parashkruar.
Lini një Përgjigje