Gazment Buçpapaj, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Tropojë si autor i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt në zonën e ish-Parkut, është marrë në pyetje nga Policia lidhur me ngjarjen.
Gjatë dëshmisë së tij, 40-vjeçari ka pretenduar se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, pasi kishte marrë bashkëshorten nga puna, ishte nisur drejt spitalit.
Ai ka deklaruar se rruga ishte e bllokuar dhe për këtë arsye kishte përdorur borinë e automjetit. Në vijim, sipas pretendimeve të tij, viktima e ka ofenduar nga makina. Pas rreth 100 metrash lëvizje, Buçpapaj ka thënë se Pashollari ka ndaluar mjetin, ka zbritur dhe e ka sharë, çka ka çuar në përplasje fizike mes tyre.
Sipas tij, konflikti ka vijuar me goditje me grushte dhe, në ato rrethana, ai e ka goditur me thikë, duke pretenduar se ka vepruar për t’u mbrojtur.
Pas ngjarjes së ndodhur më 20 shkurt, Buçpapaj ka qëndruar në Tropojë, në banesën e disa të afërmve të tij, deri në momentin e arrestimit.
Lini një Përgjigje