Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 64-vjeçarin Shtjefën Ziçi, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, 55-vjeçares Bardhe Ziçi.
Gjatë seancës gjyqësore, 64-vjeçari nuk ka dhënë asnjë deklaratë para trupit gjykues. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Agim Martini, ka kërkuar që klienti i tij t'i nënshtrohet një ekspertimi psikik.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës. Sipas hetimeve paraprake, pas një debati në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari dyshohet se mori armën e gjahut që e posedonte me leje dhe qëlloi dy herë në drejtim të bashkëshortes.
Hetimet tregojnë se 55-vjeçarja ka tentuar të largohej për t'i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra, duke humbur jetën në vendngjarje.
Sipas grupit hetimor, pista kryesore lidhet me motive xhelozie. Dyshohet se konflikti nisi pasi 64-vjeçari i kërkoi bashkëshortes telefonin celular, çka solli një debat mes tyre. Pak çaste më vonë, ai u fut në banesë, mori armën dhe dyshohet se kreu krimin.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza është oficere në repartin ushtarak të Vau Dejës. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje