
Autori i vrasjes së Vlater Fierzës një vit më parë në Shkodër është dorëzuar në polici. Ngjarja e rëndë ndodhi në shtator të 2023, ku viktima, Valter Fierza u gjet i pajetë jashtë makinës së tij në rrugën pranë Kishës së fshatit Hot i Ri. Ka qenë i vëllai i cili ka gjetur viktimën dhe ka njoftuar policinë.
I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes, Klodian Mhilli. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit autori, që është edhe fqinj, me 33-vjeçarin ka marrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Klodian Mhilli u shpall në kërkim, por duket se sot është dorëzuar në polici.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të autorësisë së ngjarjeve kriminale të ndodhura, si rezultat i kontrollit të territorit për kapjen e shtetasve në kërkim të dyshuar si autorë të tyre, si dhe falë negociatave të vazhdueshme ndërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe familjarëve të një 24-vjeçari të shpallur në kërkim për vrasje, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasi:
-K. M., 24 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri, të shtetasit V. F., kryer më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka dërguar urdhrin per ekzekutimin e vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka caktuar 24-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje