
Prokuroria e Fierit ka sekuestruar dokumentacionin nga bashkia e Lushnjes lidhur me praktikën që është ndjekur në këtë zonë periferike të qytetit për dhënien e lejes, pasi ndërtimi bëhej poshtë shtyllës së tensionit të lartë.
Ndërkohë pritet që të verifikohet nëse janë kryer kontrolle nga inspektoriati dhe si ka ndodhur që punimet po kryheshin jashtë lejes së ndërtimit pasi ishin tejkaluar afatet.
Prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje deputetin Bujar Çela i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi në magazinën e tij në Lushnje më 1 mars 2024, ku humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.
Po sot policia e Lushnjes ka vënë në pranga një 32-vjeçar, i cili ishte përgjegjës i punimeve në kapanonin ku ndodhi shpërthimi.
Sipas policisë, i arrestuari ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes.
Sipas hetimeve paraprake, 32-vjeçari, Leonard Gjini ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtës në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin.
Lini një Përgjigje