
Policia greke vijon kërkimet për kapjen e autorit që shkaktoi vrasjen e dyfishtë në një kamping në Finikounda (Greqi) mbrëmjen e së dielës.
Dyshimet janë se autori është një i ri që është larguar me një motorçikletë nga vendi i krimit, shkruan Protothema, referuar dëshmitarëve në vendngjarje.
Policia ende nuk ka arritur të identifikojë dhe arrestojë autorin e vrasjes së dyfishtë në Mesinia, ndërsa viktimat janë 70-vjeçari grek, pronar i kampingut, dhe një 60 vjeçar shqiptar, që punonte si kujdestar.
Siç raportohet nga Protothema, banorët e zonës i raportuan policisë, e cila mbërriti në vendngjarje, se autori i krimit ishte një i ri, i cili dyshohet se iu afrua dy personave dhe qëlloi nga afër.
Sipas MessiniaLive , autori i krimit hyri në recepsionin e kampingut me fytyrë të mbuluar dhe qëlloi 70-vjeçarin, i cili ndodhej aty në atë kohë, duke i shkaktuar vdekjen. Krimi ndodhi para syve të mikut të tij, i cili u përpoq të arratisej, por autori e qëlloi duke e vrarë.

Menjëherë pas kësaj, autori i krimit u largua nga vendi i ngjarjes, ndoshta me një motoçikletë, sipas dëshmitarëve.
Policia i gjeti viktimat të mbuluara me gjak në recepsion. Besohet se arma e autorit të krimit ishte një pushkë gjahu.
Oficerët e policisë së Nëndrejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Messinia po mbledhin të gjitha provat për të arritur te autori i krimit të dyfishtë, ndërsa sipas informacioneve duket se autori dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin.
Rreth 15-20 ditë më parë viktima (pronari i kampingut) kishte raportuar tek autoritetet të shtëna me armë dhe një atentat ndaj tij, megjithatë, në një biznes tjetër që ai mban në fshatin Finikounda.
Lini një Përgjigje