TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Nëntor 2024, 10:05

Vrasja e biznesmenit Nikulaj në Lezhë, portugezi Ruben Saraiva del para Gjykatës nën masa të rrepta sigurie

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e biznesmenit Nikulaj në Lezhë, portugezi Ruben Saraiva del

Zhvillohet sot seanca e radhës gjyqësore ndaj portugezit Ruben Saraiva të akuzuar si vrasës me porosi i biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë, një ekzekutim i dyshuar me porosi dhe me motiv gjakmarrjen mes dy fiseve.

Nën masa të rrepta sigurie, portugezi Ruben Saraiva ka mbërritur në Gjykatën e Lezhës, ku kërkon zëvëndësim të masës së sigurisë. Ai ka mohuar se është autori i krimit, por Prokuroria sipas akteve të dosjes dhe provave të siguruara, e akuzon atë si ekzekutues me pagesë.

Ruben Saraiva, i ekstraduar nga Maroku rreth një vit më parë, është paraqitur sot me masa të larta sigurie në Gjykatën e Lezhës dhe i ruajtur me policë të armatosur, për të shmangur ndonjë incident. Disa makina të Togës së Shoqërimit, Patrullës së Komisariatit dhe efektivë me antiplumb dhe armë u panë në dyertë e gjykatës.

Ai është vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur më 19 Prill të vitit 2023 në Shëngjin, ku të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan në kryerjen e krimit dhe i dyshuari si organizator dhe porositës.

Si ndodhi vrasja?

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill 2023 brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator dyshohet se është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit shqiptar.

Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.

Lini një Përgjigje