
Qyteti i Shkodrës është tronditur para dy ditësh nga një atentat i armatosur, si pasojë e të cilit humbën jetën tre persona, një prej tyre qytetare e rastësishme në vendin e ngjarjes.
Top Channel ka pubikuar pamjet e rënda nga ngjarja, ku shihen të shtrirë në tokë trupat e pajetë. Nga ky atentat mbeti i vrarë Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, dhe Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për bashkinë Shkodër, Xhemal Bushati.
Po ashtu humbi jetën një grua dhe u plagos burri i saj, të cilët ishin duke udhëtuar me motor në momentin e atentatit, dhe u përplasën nga makina që udhëtonte Lici e Bushati.
Nga hetimet e deritanishme dhe nga administrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në vendngjarje hetuesit besojnë se në atentat janë përfshirë 3 persona, njëri në rolin e drejtuesit të makinës Range Rover dhe dy në rolin e qitësit.
Grupi hetimor në Policinë e Shkodrës është rikthyer në vendin e ngjarjes, aty ku ndodhi masakra me 3 të vrarë dhe 2 të plagosur. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë autor të identifikuar.
Nisur nga rindërtimi i skenës së krimit dhe sekuestrimi i gëzhojave në rrugë, grupi hetimor dyshon se fillimisht autorët e kanë qëlluar nga pas makinën tip Benz me targa te Kroacisë, me të cilën udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati dhe po ashtu duke ecur paralelisht me të.
Në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave makina e drejtuar nga Lici devijoi nga rruga dhe përplasi një çift bashkëshortësh që po lëviznin me një motorçikletë.
Gjatë këqyrjes së makinës tip Benz me të cilën po lëviznin Lici e Bushati policia gjeti tre pistoleta dhe disa gëzhoja, çka sipas hetuesve është tregues qe ata kane shkembyer zjarr me atentatorët.
Grupi hetimor dyshon se në makinën e viktimave mund të ketë qenë edhe një person i tretë.
Disa orë pas ngjarjes, policia gjeti në fshatin Golem në Shkodër makinën Range Rover të përdorur nga vrasësit, të djegur plotësisht. Brenda saj ishin 2 armë zjarri automatike, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili tha se shumë shpejt do të ketë rezultat konkret.
“Dje të gjitha forcat e Policisë së Shtetit kanë shkuar në Shkodër për të bërë të mundur arrestimin e autorëve. Ata janë atje për të bërë detyrën e tyre. Shumë shpejt do të kemi një rezultat konkret në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje”.
Lini një Përgjigje