Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dëshmuar Leonard Selimi, i afërm i biznesmenit Çajup Selimi, i vrarë më 1 qershor 2021.
Për këtë ngjarje ka dëshmuar më herët edhe i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka deklaruar se është paguar 25 mijë euro nga Laert Haxhiu për ekzekutimin e Selimit. Sipas Tafanit, në momentin e atentatit, viktima e kishte parë në sy ndërsa qëllohej, pa e kuptuar se ku po e kapnin plumbat.
Gjatë dëshmisë së tij, Leonard Selimi u shpreh se nuk e ka parë autorin dhe nuk ka dëgjuar të shtëna armësh. Ai tregoi se në banesë ka gjetur një plumb, pranë kokës së krevatit.
“Nuk dëgjova krisma armësh. Gjeta plumbin brenda në shtëpi, te koka e krevatit. Ia dhashë të nesërmen policisë. Atë natë nuk kisha parë asgjë. Pashë vetëm vrimën në derë”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Në vijim të dëshmisë, ai rrëfeu se në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpi, rreth orës 21:00. Sipas tij, plumbi kishte goditur derën, çka e bëri të dilte jashtë.
“Kur dola te dera pashë gjak. U mundova t’i jap ndihmën e parë. I dilte gjak nga goja, nuk kishte reagim nga ana e tij. Doli nusja e tij, pastaj dikush nga kati i parë dhe të gjithë të tjerët. E mora vesh nga televizioni”, tha ai.
Leonard Selimi e përshkroi viktimën si “djalë punëtor” dhe “të qetë”, duke shtuar se merrej me shitje çimentoje dhe kishte magazinë. Sipas tij, para vrasjes nuk kishin dijeni për ndonjë problem që mund të kishte.
“Pasi u vra, morëm vesh që kishte probleme. Kishte sherre me disa çuna nga fshati Veliqot i Tepelenës, emrat nuk i di, por si fytyra i njoh. Janë tre çuna, kanë bërë një ose dy sherre. Ishin rregulluar pastaj dhe erdhën te varrimi. Ishte mbyllur sherri. Për ndonjë sherr tjetër të hapur nuk di gjë. Nuk i jap dot shpjegim vrasjes”, dëshmoi ai në GJKKO.
Lini një Përgjigje