Shkon në katër numri i personave të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Gjatë paradites u arrestuan nga policia britanike Edmond Haxhia dhe dy britanikë që kishin rolin e vëzhguesit, ndërsa bëhet me dije se po nga autoritetet angleze është arrestuar vajza që ishte pjesë e grupit. Bëhet fjalë për Harriet Bridgeman. Policia bën me dije se ajo sapo është prangosur duke e çuar në katër numrin e të arrestuarve.
“Në vijim të punës kërkimore për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasja britanike H. B.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të 2 personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen”, njofton policia.
Më herët u bë e ditur se autoritetet britanike arrestuan, Edmond Haxhinë, porositësin dhe organizatorin e atentatit mafioz, si edhe 2 bashkëpunëtorët anglezë që kanë luajtur rolin e vëzhguesit, Thomas Mithan dhe Steven Hunt, 35 dhe 49 vjeç.
Harriet Bridgeman ishte vetmja femër pjesë e grupit. Ajo bashkë me Steven Hunt qëndruan në hotelin “Coral”, ku dhe ndoqën nga afër lëvizjet e biznesmenit. Pas krimit ata janë larguar drejt Britanisë, por policia shqiptare arriti t'i identifikojë në kohë dhe pasi u lajmëruan autoritetet vendase, sot janë vënë 4 prej tyre në pranga. Për këtë ngjarje, vijon të jetë në kërkim ekzekutori, portugez Ruben Saraiva dhe anglezi, Harry Simson. Portugezi ka dalë nga dogana e Kapshticës dhe nuk dihet se në çfarë shteti ndodhet.
Lini një Përgjigje