Arratia e grupit kriminal me në krye Edmond Haxhinë, që ekzekutuan pasditen e 19 prillit, biznesmenin në Shëngjin, Ardian Nikualaj ka zgjatur vetëm 10 ditë. Në Britani të Madhe është arrestuar Edmond Haxhia, porositësi dhe organizatori i atentatit mafioz, si edhe 2 bashkëpunëtorët anglezë që kanë luajtur rolin e vëzhguesit, Thomas Mithan dhe Steven Hunt, 35 dhe 49 vjeç.
Për këtë ngjarje, vijon të jetë në kërkim ekzekutori, portugez Ruben Saraiva dhe 2 anglezët, Harry Simson dhe Harriet Bridgeman. Kjo e fundit, sipas burimeve pranë Policisë së Shtetit është lokalizuar po ashtu në Britani të Madhe dhe brenda pak orësh pritet të arrestohet.
Nga informacionet paraprake mësohet se arrestimi i tyre është bërë në Londër, ku ishin arratisur menjëherë pas ngjarjes. Të tre ishin fshehur në një perimetër shumë të afërt me njeri tjetrin të një lagjeje në Londër, në momentin kur iu janë vënë prangat.
Dyshimet janë që komunikimet në celular me njëri-tjetrin t’i kenë nxjerrë zbuluar. Tashmë pas arrestimit, pritet të jepet masa e sigurisë në Londër dhe më pas i hapet rruga nisjes së procedurave të ekstradimit drejt vendit tonë.
Rolet e anëtarëve të grupit kriminal
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.
Lini një Përgjigje