
Ka marrë fund arratia e një tjetër anglezi me rolin e vëzhguesit në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt në Shëngjin.
Mësohet se Skuadra Nacionale e Ekstradimeve pran NCA, FBI-ja angleze pas shumë ditë kërkimesh arrestuan Harry Simpson. Lokalizimi dhe arrestimi i tij u krye në qytetin e Londrës mbrëmjen e së enjtes.
“National Crime Agency” konfirmon se Simpson me precendent penal në të shkuarën, do të dalë përpara gjykatës ditën e sotme për tu njohur me masën e sigurisë.
Hetimet në Shqipëri zbuluan se Harry Simpson ditën kur u ekzekutua Nikulaj jepte informacione për vrasësin portuges Ruben Saraiva. Po atë ditë, ai u largua me urgjencë nga Shëngjini dhe mbërriti në Rinas me dy taksi. Sipas dosjes hetimore rrugës ai ndërroi rrobat dhe tentoi të kalonte kontrollin policor të kufirit në Rinas pa treguar pasaportën.
Me arrestimin e Simpson kompletohet kapja e grupit të dyshuar si zbatues të planit për ekzekutimin e biznesmenit të njohur nga Shëngjini.
Ai u arrestua në një banesë në Londër me qëllim esktradimin drejt vendin tonë. 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023.
"Punë intensive lokalizuese dhe kërkime të kryera në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023. Lokalizohet dhe kapet në një banesë në Londër, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi i fundit i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për kryerjen e kësaj vrasjeje.
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të strukturave të Policisë së Shtetit, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, u bë i mundur lokalizimi në një banesë në Londër, kapja dhe arrestimi me qëllim esktradimin, i shtetasit të shpallur në kërkim H. S. alias J. S., 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar për shtetasin H. S. alias J. S., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023. Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 32-vjeçarit, drejt vendit tonë.", njofton policia.
E shkuara kriminale e Harry Simpson
Duke iu referuar prokurorisë angleze CPS, raportohet se Simpson, ka precedentë penal dhe dënime në të shkuarën.
Harry Simpson është banues në Abbey Wood në Jug të Londrës. Një prej precedentëve penal lidhet me shitjen e drogës në rrugët e kryeqytetit anglez.
Sipas prokurorisë angleze, në Shkurt të vitit 2015, Simpson, është arrestuar për shitje kokaine më një pastërti prej 89% dhe shitje kanabisi me vlerë 40.000 sterlina. Atëherë 24 vjeç, Simpson po udhëtonte me një makinë tip BMW kur u ndalua dhe u kontrollua nga policia.
Rezultoi se ai po drejtonte një mjet pasi i ishte hequr patenta dhe pa siguracion. Për mos të marrë një dënim maksimal ai pranoi akuzat. Gjykata e dënoi Simpson me 5 vite dhe 3 muaj burg.
Lini një Përgjigje