Është publikuar fotoja e Valter Bamit, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme si i dyshuar për përfshirje në masakrën e Fushë- Krujës, ku u vra Ramazan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.
Pas atentatit, Bami u shoqërua në komisariat dhe i është nënshtruar një ekspertize nëse ka qëlluar apo jo me armë zjarri. Nga ekspertiza, sot ka rezultuar se në dorën e majtë të tij janë gjetur shenja baruti, çka dëshmon se ai ka qëlluar me armë ditët e fundit. Policia ka bërë ndalimin e tij dhe ka ngritur akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa po hetohet mbi përfshirjen e tij në atentatin në fjalë.
Valter Bami, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi njihet për një sërë rekordesh kriminale.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi. Mirëpo, burime nga policia njoftojnë se sipas veprimeve hetimore, 37-vjeçari ka qëlluar atë natë.
Evidentimi i shenjave të barutit është bërë në mikroskop elektronik, që ka qenë vendimtar për nxjerrjen e urdhër-arrestit për Bamin. Gjurma e barutit i është gjetur tek kyçi i dorës. Bami ka patur doreza dhe pjesa e gishtave dhe pëllëmbës ka dalë e pastër. Deri më tani ka vetëm një akuzë ndaj tij atë të “armëmbajtjes pa leje”.
Bashkë me Bamin u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë të cilët ndodheshin në shoqërinë e Bamit. Pasi janë marrë në pyetje, ata pritet të lirohen pasi nuk janë ngritur akuza ndaj tyre.
Sjellim në vëmendje se Valter Bami lokalizua dhe më pas u kap nga efektivët e policisë, rreth orës 20:30 të së enjtes, në fshatin Greps, të Niklës, për t’u shoqëruar drejt Tiranës.
Sipas policisë, Valter Bami është ndaluar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 3 Korrik në fshatin Larushk të Krujës, ku në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjas u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë u vra kunati i tij Ramazan Sino.
Lini një Përgjigje