
Valter Bami i arrestuar mbrëmë nga policia ka mohuar sërish të jetë pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentian Bejtjas ku humbi jetën Ramazan Sino. Mirëpo hetimet kanë zbuluar një detaj që mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjes. I forti i Niklës mund të ketë përdorur doreza gjatë krimit, pasi baruti është zbuluar në kyçin e dorës dhe jo në pëllëmbë.
Burime nga policia bëjnë me dije se kanë bindjen se 37-vjeçari ka qëlluar atë natë. Evidentimi i shenjave të barutit është bërë ne mikroskop elektronik, vendimtar për nxjerrjen e urdhër-arrestit për të. Gjurma e barutit i është gjetur tek kyçi dorës së majtë.
Deri tani ndaj Bamit ka vetëm një akuzë ndaj tij, armëmbajtje pa leje.
Atentati ndodhi pak pas mesnatës së të martës, 4 korrik 2023 kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke e lënë dajën e të miturve të vdekur në vend, ndërsa dy fëmijët e Gentian Bejtjas u plagosën. Autorët dogjën automjetin bashkë me 3 kallashët në afërsi të Tapizës, duke humbur çdo gjurmë. Për shkak të plagosjes së dy fëmijëve, dhe veprimeve hetimore që kanë të bëjnë me ta, dosja penale i ka kaluar seksionit për të miturit në prokurorinë e Tiranës.
I konsideruar si personazhi kyç në ngjarje, marrja në pyetje e Gentian Bejtjes vlerësohet e rëndësishme nga policia pasi pista kryesore që po ndjek grupi i hetimit është hakmarrja.
Lini një Përgjigje