Sot u mbajt seanca paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier, ndaj Flori Mukës dhe Klajdi Mukës, dy autorët e vrasjës së 19-vjeçarit Grei Bihuci.
19-vjeçari humbi jetën 8 muaj më parë nga goditjet me thikë prej dy bashkëmoshatarëve të tij. Familjarët e autorëve dhe viktimës kërkuan marrjen në hetim edhe të personave të tjerë që ishin prezent në vrasje.
Flori dhe Klajdi Muka u paraqitën në gjykatë për t’u përballur me gjykimin ndaj tyre. Dëshmia e të pandehurve Muka, vazhdon të jetë ajo e dhënë menjëherë pas ngjarjes ku u tha se gjatë përleshjes mes dy grupeve të të rinjve, autorët nxorën thikën dhe sulmuan bashkëmoshatarët e grupit kundërshtar pa dashur të vrisnin askënd por vetëm për t’u mbrojtur.
Sipas tyre, Grei Bihuci ishte rastësisht viktimë e sulmit.
Avokati i kushërinjve Muka kërkoi ricilësim të akuzës nga “vrasje me paramendim”, në vrasje në rrethana të tjerë cilësuese. Bihuci, nxënës i shkollës “Petro Sota” u vra më 11 mars mes një sherri të bashkëmoshatarëve të tij që kishte nisur për një thikë të blerë online.
Adoleshentet thanë se thika me të cilën u vra Grei, u ishte dhënë kushërinjve Muka nga një shok i Grei Bihucit. Kur ai kërkoi t’ia kthenin, ata nuk pranuan menjëherë. Pas disa ditëve debatesh mes tyre, në 11 mars e lanë të takoheshin në qendër të Fierit për të “sqaruar”. Por debatet nisën sërish dhe dhuna u përshkallëzua deri në përdorimin e thikës.
Kushërinjtë Muka u arrestuan menjëherë pas ngjarjes por personi tjetër që kishte qenë shkak për konfliktin nuk është përfshirë në hetim. Seanca e radhës për këtë vrasje u caktua për në datën 27 nëntor.
Lini një Përgjigje