TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Nëntor 2024, 14:10

Masakra me 4 viktima në Dobraç, arrestohen 4 policë në Shkodër

Shkruar nga Pamfleti

Masakra me 4 viktima në Dobraç, arrestohen 4 policë në

AMP ka kallëzuar efektivët e policisë për shpërdorim detyre pranë Prokurorisë, pas largimit të personit të tretë nga vendi i ngjarjes.

Katër punonjës të policisë në Shkodër janë arrestuar nga AMP, pasi dyshohet se kanë lidhje me masakrën e Dobraçit.

Mësohet se efektivët e arrestuar janë të forcave Shqiponja, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes. AMP ka ngritur pak ditë më parë akuzën ndaj tyre për “shpërdorim detyre”. 

Sipas AMP, të arrestuarit janë: Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marte Martini.

Hamza Lici dhe Arlind Bushati u ekzekutuan gjatë një atentati mafioz të mirëorganizuar. Në videot amatore të bëra publike pas masakrës shfaqet edhe një person i tretë, i cili qëndron mbi kokën e Hamza Licit, teksa ky i fundit qëndron i shtrirë në tokë.

AMP ka kallëzuar efektivët e policisë për shpërdorim detyre pranë Prokurorisë, pas largimit të personit të tretë nga vendi i ngjarjes.

AMP dyshon se ata kishin për detyrë ta shoqëronin këtë person, i cili besohet se ishte i treti që po udhëtonte në mjetin tip Benz, ku ndodheshin edhe dy viktimat e atentatit mafioz, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Burime shtojnë se policët që ishin në vendngjarje duhej gjithashtu të bënin shoqërimin e të gjithë personave të dyshuar, apo që mund të kishin dijeni mbi rrethanat e krimit.

I riu ende i paidentifikuar zyrtarisht për grupin hetimor, dyshohet se është Ibrahim Lici, një nga personat e shumëkërkuar nga drejtësia për krime të rënda.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar  Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre “ pasi nuk kanë rrespektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.

Inspektor B. K., dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.  

Inspektor J. S., dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.

Urdhëri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP – së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., si dhe një person tjeter i paidentifikuar", njofton AMP.

Çfarë ndodhi më 30 tetor në Shkodër?

Hamza Lici, 23 vjeç, Arlind Bushati, 32 vjeç dhe Flutura Basha u vranë pas një atentati mafizo të mirëorganizuar, i cili u regjistrua në zonën e Dobraçit. Bashkim Basha, bashkëshori i Fluturës u plagos dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku humbi jetën pas disa ditësh.

Dyshohet se në atentat morën pjesë 4 autorë. Në makinën tip “Land Rover” që u gjet e shkrumbuar në fshatin Golem, vetëm 5 kilometra larg vendit të atentatit, sipas burimeve policore gjendeshin 3 persona, shoferi dhe dy qitës që qëlluan me breshëri kallashnikovi. Ndërsa personi i katërt i ka pritur në zonën ku është djegur automjeti, duke i ndihmuar të largohen. 

Brenda makinës së djegur u gjetën dy automatikë të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat. Grupi hetimor ka dyshime të forta se autorët janë vrasës me pagesë nga Mali i Zi.

Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Lici dhe Bushati u gjetën tre pistoleta. Deri më tani policia ka përcaktuar dhe ka arritur të zbulojë se makina tip Range Rover e përdorur në atentat është vjedhur në Durrës disa kohë më parë.

Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendngjarje. Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë, por po haset vështirësi pasi në zonë nuk ka kamera të shumta, ose edhe ato që janë nuk kanë server për ruajtje pamjesh. Disa prej tyre janë të koduara dhe janë marrë për t’u ekspertuar në laborator.

Për ngjarjen e rëndë në komisariatin e Shkodrës u shoqëruan mbi 20 persona, mes tyre edhe Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ky i fundit qëndroi rreth 2 orë në polici dhe mësohet se mohoi të ketë lidhje me atentatin, duke deklaruar se ishte në banesë me familjen. Sipas tij, shtëpia është e monitoruar me kamera dhe e vërteton një fakt të tillë.

Deri më tani, pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit është ajo e hakmarrjes për shkak të konfliktit të gjatë mes familjes Lici dhe Bajri. Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare.

Kush është Ibrahim Lici

Ibrahim Lici akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021. Në 13 shkurt të këtij viti, ai u arrestua në Turqi, por disa javë më vonë ai u la i lirë nga autoritetet turke si pasojë e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit drejt vendit tonë.

Hamzai, viktima e 30 tetorit, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.

Akuzat ndaj Ibrahim Licit u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë, shkruan Vizionplus.tv.

Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.

Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze.

31-vjeçari Ibrahim Lici është dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër.  Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në portën e shtëpisë. Ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.

Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij, është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit  i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

masakra ne shkoder 4 viktima 4 police

Lini një Përgjigje