TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Nëntor 2025, 20:04

Uji deri në gju, pamjet kur policia evakuuon familjet nga zonat e përmbytura (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Uji deri në gju, pamjet kur policia evakuuon familjet nga zonat e

Moti i keq ka krijuar probleme në shumë zona të vendit, ndërsa toka bujqësore dhe banesa janë përmbytur si pasojë e reshjeve dhe daljes së lumenjve dhe përrenjve nga shtrati.

Në një video të bërë publike nga Policia e Shtetit, shihen forcat policore teksa përpiqen të shpëtojnë banorë të mbetur në zona të përmbytura.

Me ujin deri në gju, policët kanë zgjedhur të përthyejnë pantallonat, dhe të hyjnë në ndihmë të banorëve.

Në operacionet e ndryshme janë përfshirë shërbimet e Policive Vendore, Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat  shkuan në ndihmë të banorëve, ku u kërkua ndihmë. Në zonat më problematike u angazhuan edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe të Delta Forcës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçe nga fshati Çiflik.

Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje. Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.

Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.

Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi, duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme, thuhet në njoftimin e policisë.

Lini një Përgjigje