
Një person në dijeni për ngjarjen e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe efektivi i AMP-së Muçi Shaljani Sheqeri, u shoqërua në polici mbrëmjen e djeshme.
Bëhet me dije se shtetasi me iniciale B.XH, është liruar ditën e sotme. Sipas informacioneve 35-vjeçari i shoqëruar mbrëmjen e djeshme është nga Fushë-Kruja, zonë ku autorët dogjën makinën që përdorën për atentatin.
I riu ka banesën shumë pranë ku u dogj makina, por në deklarimet e tij ka pohuar se në atë momente nuk ndodhej në shtëpi dhe në këtë formë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, apo të ketë parë lëvizje të autorëve të mundshëm. Shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje u bë pasi më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë. Një muaj pas atentatit, policia është përqendruar në marrjen në pyetje të personave të ndryshëm që mund të kenë dijeni, por deri në këtë fazë nuk ka autorë apo porositës të identifikuar.
Si ndodhi atentati ndaj Gilmando Danit?
Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit. Por në orën 14:15 të 11 nëntorit, për rastësi aty pranë nuk ndodhej asnjë forcë policie, siç zakonisht stacionohen pranë aeroportit. Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë.
Në videon e publikuar të atentatit, shikohen lëvizjet e atentatorëve, që sapo informohet nga persona të tjerë se mjeti ku udhëtonin Dani dhe Sheqeri doli nga parkimi i aeroportit “Nënë Tereza”, mjeti i autorëve lëviz në anën tjetër të rrethit dhe i pret aty për disa sekonda.
Sapo makina “Benz” afrohet, tre atentatorët dalin nga makina të maskuar dhe qëllojnë me breshëri kallashnikovi. Pasi makina ku udhëtonte Dani ndalon, dy prej autorëve futen në makinë ndërsa një tjetër shkon tek mjeti benz për tu siguruar që objektivi ka ndërruar jetë.
Mjeti Toyota me të cilin udhëtonin autorët rezultoi me targa greke. Targat dolën të vjedhura në Greqi para një viti ndërsa makina nuk është verifikuar ende nëse është vjedhur ose jo, pasi ajo u dogj plotësisht duke dëmtuar numrin e shasisë.
Brenda makinës u gjetën 3 kallashnikov dhe një pistoletë. Ndërkohë që ende nuk ka një pistë të qartë për ngjarjen.
Lini një Përgjigje