Islam Sefa, të cilit i është komunikuar masa e arrestit në burg, u prangos në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge.
Ai po priste një avokat kur agjentët e BKH-së ndërhynë për t'i vënë prangat në lokalin rreth 100 metra nga godina e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK e akuzon atë si drejtuesin dhe financuesin të një grupi të trafikut të drogës në Gjermani në vlerën e 3.3 mln eurove. Organi i akuzës identifikoi 12 anëtarë të grupit, 8 shqiptarë dhe 4 gjermanë.
Sipas SPAK, grupi i drejtuar nga Sefa, gjatë viteve 2020-2021, kishte trafikuar në Gjermani në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuanë. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, tregtohej në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Islam Sefa është vëllai i Bujar Sefës, i cili më 1 korrik të vitit 2024 u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg për kultivim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas GJKKO-së, ai ishte një nga drejtuesit e dy grupeve kriminale që kultivonin parcela me bimë narkotike në disa zona të Bashkisë Krujë, konkretisht Njësia Administrative Cudhi, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall zona këto kufitare me njëra-tjetrën.
Gjykata e Posacme dënoi me 17 vite burg Islam Sefën alias Xaka në shtator të vitit 2025, për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në 9 episode, dhe si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me 1/3, në 11 muaj e 4 vite burg.
Lini një Përgjigje