
Pas një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati 10 ditë, efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut kanë gjetur trupin e pajetë të 42-vjeçarit Ilir Kurti. Ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u hedhur në lumë, pranë vendit të njohur si “Ura e Blezënkës”, në afërsi të Kanioneve të Osumit, në Skrapar.
Sipas të dhënave, më 20 shkurt, në zonën ku dyshohej se kishte ndodhur ngjarja, u gjetën motori me të cilin lëvizte 42-vjeçari, disa sende personale si dhe telefoni celular. Nga verifikimet paraprake rezulton se ai i kishte dërguar një mesazh vëllait, ku shprehte se po hidhej në lumë.
Familjarët kanë deklaruar se prej disa muajsh 42-vjeçari ishte izoluar dhe po përjetonte vështirësi emocionale, veçanërisht pas ndarjes nga djali i tij. Sipas tyre, ai nuk kishte kontakt prej shtatë vitesh me të birin, pasi ish-bashkëshortja ishte larguar nga Skrapari drejt vendlindjes së saj në Rumani, duke e marrë fëmijën me vete.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve nga autoritetet përkatëse.
Lini një Përgjigje