TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Shkurt 2026, 07:33

Detaje nga vrasja e 17-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbardhen shkaqet; arrestohet autori i dyshuar

Shkruar nga Pamfleti

Detaje nga vrasja e 17-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbardhen shkaqet;

Një konflikt mes të rinjsh në Loutraki të Greqisë, ka përfunduar me pasoja tragjike, duke i marrë jetën një 17-vjeçari me origjinë nga Berati dhe duke lënë të plagosur një 19-vjeçar.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë nisur për shkak të një dëmtimi të pretenduar të një motorri.

Burime paraprake bëjnë me dije se i riu i dyshuar si autor ishte takuar me 19-vjeçarin, mik i viktimës Aleks Vangjeli, me synimin për të sqaruar mosmarrëveshjen. Në takim ishin të pranishëm edhe tre të rinj të tjerë. Grupi u nis me automjet drejt një zone të izoluar, në rrugën që lidh Unazën e Loutrakit me Manastirin e Shenjtë të Shën Patapiut.

Sipas të njëjtave burime, debati verbal ka degraduar në përplasje fizike. Autori i dyshuar mësohet se ka nxjerrë një mjet prerës, me të cilin ka goditur fillimisht 19-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të shumta në anën e djathtë të kraharorit. Gjatë përpjekjes së të tjerëve për ta neutralizuar, është goditur edhe 17-vjeçari në anën e majtë të gjoksit, ndërsa një tjetër i ri ka marrë plagë të lehta në dorë.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Dy të rinj kanë transportuar të plagosurin 19-vjeçar në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, 17-vjeçari është gjetur disa orë më vonë nga vëllai i tij, i shtrirë në rrugën që të çon drejt manastirit. Ai është dërguar me urgjencë në spital, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Autoritetet policore kanë ndërmarrë hetime të menjëhershme, duke arritur të identifikojnë dhe arrestojnë autorin e dyshuar pasditen e së premtes. Çështja i ka kaluar organeve të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Lini një Përgjigje