TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shkurt 2026, 20:24

“1/3 e mesazheve në shqip”/ Sky ECC tronditi Europën, Belgjika jep detaje: Si ndryshoi harta e trafikut të kokainës!

Shkruar nga Pamfleti
“1/3 e mesazheve në shqip”/ Sky ECC tronditi Europën,
Foto ilustruese

Autoritetet belge: Rrjetet e drogës nga Ballkani fituan terren; mbi 1,200 të dënuar dhe 224 milionë euro të sekuestruara

Autoritetet belge kanë publikuar një përmbledhje të operacioneve të zhvilluara në kuadër të hetimeve të bazuara në përgjimet nga platforma e koduar Sky ECC, gati pesë vjet pas nisjes së operacionit më të madh policor të ndërmarrë ndonjëherë në Belgjikë.

Sipas raportimit zyrtar, analiza e të dhënave ka nxjerrë në pah përfshirjen e gjerë të rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e komunikimeve të përgjuara rezultojnë të kenë qenë në gjuhën shqipe.

Një e treta e mesazheve në shqip

Autoritetet belge bëjnë të ditur se një e treta e mesazheve të koduara të shkëmbyera në Sky ECC ishin në gjuhën shqipe, e identifikuar si gjuha amtare e 578 personave të dyshuar.

Në raport theksohet se “kartelet e drogës nga Ballkani, në veçanti, duket se kanë fituar terren në Belgjikë”. Për këtë arsye, Belgjika ka intensifikuar bashkëpunimin me Zyrën e Prokurorit Publik në Shqipëri për çështjet që lidhen me Sky ECC.

Sipas të dhënave të autoriteteve belge, informacioni i përftuar nga Sky ECC ka ndihmuar në zbardhjen e 15 vrasjeve dhe 15 tentativave për vrasje në Shqipëri. Po ashtu, Belgjika ka ndarë të dhënat me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Kontroll i dërgesave nga distanca

Hetimi ka treguar se transfertat e drogës drejt Belgjikës dhe Amerikës së Jugut kontrolloheshin përmes një ose më shumë pajisjeve të vendosura në vende të ndryshme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqinë, Marokun, Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit.

Sipas autoriteteve, kjo mënyrë operimi u lejonte drejtuesve të rrjeteve kriminale të kontrollonin dërgesat nga distanca, pa rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me lëndën narkotike.

Mbi 1,200 të dënuar dhe 3,684 vite burg

Në total, më shumë se 1,200 persona janë dënuar në çështje që nisën pas sulmit kibernetik ndaj platformës Sky ECC. Dënimet lidhen kryesisht me trafik droge, por edhe me dhunë, pastrim parash, shkelje të sekretit profesional dhe vepra penale që përfshijnë armë.

Mbi një miliard mesazhe janë përdorur në hetimet gjyqësore, çka ka çuar në arrestimin e shumë personave të përfshirë në aktivitete kriminale, përfshirë edhe figura publike.

Pas pesë vitesh hetime, janë hapur 470 çështje penale kundër përdoruesve të Sky ECC, ndërsa analiza e komunikimeve ka identifikuar rreth 5,000 të dyshuar të mundshëm. Më shumë se 200 çështje të tjera në zhvillim janë pasuruar me informacion nga këto të dhëna.

Autoritetet bëjnë me dije se janë sekuestruar mbi 224 milionë euro dhe janë dhënë dënime që në total arrijnë në 3,684 vite burg.

Bashkëpunim ndërkombëtar dhe ekstradime

Rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës ka kërkuar një bashkëpunim të gjerë mes autoriteteve ligjzbatuese. Policia belge ka dërguar oficerë ndërlidhës në Kolumbi, Brazil, Turqi, Marok, Itali dhe Shqipëri.

Gjithashtu, është emëruar një magjistrat për të koordinuar bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas raportimit, Emiratet kanë ekstraduar 13 të dyshuar drejt Belgjikës, përfshirë bosin holandez të drogës Flor Bressers dhe Othman El Ballouti nga Antuerpi.

 

sky ecc belgjika trafiku i kokaines

Lini një Përgjigje