TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shkurt 2026, 16:17

Armë, municione dhe drogë, arrestohen 5 persona në Durrës; zbardhen emrat

Shkruar nga Pamfleti
Armë, municione dhe drogë, arrestohen 5 persona në Durrës;
Pamje nga aksioni

Pesë persona janë arrestuar në Durrës pas një serie kontrollesh të zhvilluara gjatë 12 orëve të fundit. Aksioni, i koduar “Siguria”, u përqendrua në identifikimin dhe goditjen e rasteve të mbajtjes së armëve dhe sendeve të kundërligjshme.

Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Patrullat e Përgjithshme, realizoi kontrolle të befasishme në zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë, si dhe municion luftarak. Në listën e materialeve të bllokuara përfshihen edhe katër armë të ftohta, lëndë narkotike kanabis, dy automjete dhe pesë telefona celularë.

Autoritetet vijojnë veprimet procedurale për rastin.

“Në Sukth, Policia ndaloi një automjet me të cilin qarkullonin tre shtetas. Gjatë kontrollit në automjet u gjet një armë zjarri kallashnikov, 3 karikatorë dhe 17 fishekë. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të mjetit, Servin Muça, 29 vjeç, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Në kuadër të hetimeve për këtë rast, u ushtrua kontroll në banesën e Juljan Hida, 31 vjeç, banues në Kuçovë, ku u gjetën 3 armë të ftohta (2 mjete prerëse dhe 1 dorezë metalike).

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë Servin Muça, 29 vjeç; Fabian Seriani, 25 vjeç; Brised Punci, 25 vjeç, të dy banues në Sukth; Juljan Hida, 31 vjeç, si dhe Zef Kola, 20 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në lagjen nr. 14 në Durrës, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet me drejtues Zef Kola, të cilit iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me 6 fishekë”, bëri me dije policia vendore.

Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. B., 23 vjeç, banues në Shkozet, pasi dyshohet se kishte dijeni për rastin, por nuk ka kallëzuar.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa zbatimi i planit operacional “Siguria” vijon me kontrolle intensive në të gjithë qarkun”, sqaron policia.

 

arrestim durres

Lini një Përgjigje