TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Shkurt 2026, 09:23

Trafiku i drogës, kush janë shqiptarët në klanin “Nuovo Partenio”; si funksiononte rrjeti dhe roli i dy vëllezërve

Shkruar nga Pamfleti
Trafiku i drogës, kush janë shqiptarët në klanin
Antimafia

Në Gjykatë u rindërtuan fazat e hetimit për lëndët narkotike dhe kontaktet ndërkombëtare të organizatës kriminale nga Irpinia

Një rrjet i tërë për trafikun e drogës është zbërthyer nga anti-mafia italiane, duke zbuluar lidhjet mes klanit “Nuovo Partenio” dhe shqiptarëve. Organizata akuzohet për trafikun ndërkombëtar të drogës, por edhe për zhvatje. Detajet mbi mënyrën se si vepronte organizata u zbuluan në një seancë që zgjati 4 orë para Tribunalit kolegjial të kryesuar nga Sonia Matarazzo, gjatë së cilës u dëgjua një toger i Njësisë Hetimore të Karabinierëve, i ngarkuar për të rindërtuar fazat e një dege të hetimit mbi trafikun e lëndëve narkotike që përfshinte anëtarë të klanit Nuovo Partenio dhe shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm në Irpinia.

Në sallën e gjyqit, oficeri paraqiti zanafillën e hetimit, strukturën e organizatës kriminale nën hetim dhe periudhën kohore të marrë në shqyrtim. Sipas dëshmisë së dhënë në Gjykatë, hetimi nisi në maj 2014, pas një sekuestrimi të lëndëve narkotike ndaj vëllait të Ernesto Nigro në Bagnoli Irpino.

Nga operacioni rezultoi se Ernesto Nigro ishte i përfshirë në trafik droge së bashku me shtetas shqiptarë dhe i lidhur me grupin e drejtuar nga Pasquale Galdieri. Në atë rast u sekuestruan një kilogram hashash dhe një pushkë.

Përgjimet telefonike dhe ato në burg konfirmuan përfshirjen e Ernesto Nigro në një trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Mes episodeve të përmendura ishte një bisedë e përgjuar mes Nigro Giuseppina, motrës së Ernestos, dhe një kushëriri, lidhur me arrestimin e vëllait dhe të dy personave të tjerë në Montecorvino Rovella, së bashku me një të arratisur të lidhur me trafikun ndërkombëtar.

Lidhjet me vëllezërit Luku: kontrolle dhe lëvizje parash

Lidhja me vëllezërit Klodian dhe Ermal Luku, shtetas shqiptarë me banim në Montella, u rindërtua edhe përmes kontrolleve të Policisë zvicerane në kufirin e Chiasso-s, ku ata u ndaluan në një automjet me 344.470 euro.

Në një prej numrave të tyre telefonikë kishte mbërritur një mesazh konfirmimi nga Nigro. Hetuesi sqaroi se Luku kishte shprehur synimin për të bashkëpunuar me autoritetet zvicerane, por përmbajtja e këtij bashkëpunimi nuk u raportua në sallën e gjyqit, pas kundërshtimit të mbrojtjes së përfaqësuar nga avokati Alberico Villani.

Hetimet nxorën në pah se Ernesto Nigro ishte ngarkuar të transportonte para nga Montella drejt Amsterdamit për blerjen e lëndëve narkotike.

Në gusht 2014, karabinierët instaluan pajisje përgjimi në një automjet që përdorej ekskluzivisht nga Ernesto Nigro dhe motra e tij, duke identifikuar kontakte të tjera me vëllezërit Luku.

Oficeri përmendi gjithashtu një shënim të 11 qershorit 2014 të Drejtorisë Qendrore për Shërbimet Antidrogë, i lidhur me operacionin “Refresh 2014” dhe me arrestimin e Ermal Luku në Chiasso më 21 tetor 2013.

“Staffetta” e drogës: ndalimi në A16 dhe përgjimet

Një episod i rëndësishëm lidhet me 9 gushtin 2014, kur Ernesto Nigro dhe Ergys Huqj u ndaluan në autostradën A16, pranë Grottaminarda-s, nga Policia Rrugore, pas një sinjalizimi nga Goa i Gardës së Financës në Bari, me dyshimin se kishin blerë shtatë kilogramë hashash në Pulia.

Kontrolli nuk dha rezultat pozitiv, por përgjimet treguan se të dy mund të kishin shërbyer si “staffetë” për drogën e destinuar për tregjet e zonës së Salernos.

Në fund, oficeri konfirmoi se Ernesto Nigro vepronte në emër të Nuovo Clan Partenio, duke imponuar zhvatje ndaj bizneseve në zonën e Irpinisë së Epërme dhe duke porositur lëndë narkotike për grupin.

Ky kapitull i hetimit do të shqyrtohet më tej në seancën e radhës, e caktuar për 26 qershor para Tribunalit kolegjial. /Pamfleti/



itali shqiptari droga

Lini një Përgjigje