TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Nëntor 2024, 20:57

U kapën duke marrë 40 kg kokainë nga kontejneri në portin e Livornos, zbardhen emrat 3 shqiptarëve të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti

U kapën duke marrë 40 kg kokainë nga kontejneri në portin e

Publikohen emrat e tre shqiptarëve të arrestuar në Itali, të cilët u kapën dukë nxjerrë 40 kg kokainë nga kontejneri në portin e Livornos.

Të arrestuarit janë 49-vjeçari Alfons Teqa, 30-vjeçari Athanas Xhuveli dhe 36-vjeçari Rushan Kanushi, ky i fundit rezident në zonën e komunën Sant'Elpidio a Mare, në provincën e Fermos, në Marche.

Ata shkruan në qytet me një makinë me qira dhe qëndruan natën në një motel të zonës. Mesnatën mes 25 dhe 26 Tetorit shkuan drejt portit për të marrë një ngarkesë me 40 kilogramë kokainë të pastër që sapo kishte ardhur me anije tregtare nga Ekuadori, e fshehur mes bananeve dhe brenda një kontejneri.

Tre shqiptarët të arrestuar në flagrancë teksa po merrnin porosinë, mund të përfitonin shumën nga 40-50 mijë euro, por dështuan. Vlera e mallit nëse do shitej shkonte në të paktën 3 mln euro.

Mediat italiane kanë zbardhur itinerarin, skemën dhe emrat e shqiptarëve të ndaluar. Operacioni u krye nga Guardia di Financa dhe Agjencia e Doganës italiane. Lajmi u konfirmua për mediat vetëm më 31 Tetor.

Ndërhyrja u krye në Darsena Toscana, kurse të dyshuarit ndodhen në burgun e Sughere. Të tre nuk thanë asnjë fjalë para prokurorit publik Daniele Rosa ndërsa kanë marrë avokatë. Dy të parët do të kishin ardhur direkt nga Shqipëria, ndërsa Kanushi ka qenë ndoshta në Itali përpara se të mbërrinte në qytet për të rikuperuar sasinë e madhe të drogës. Dyshohet se ata janë punësuar si korrierë për të tërhequr dhe dorëzuar mallin për grupin kriminal. Me vete mbanin çantat e shpinës, ku kishin të gjitha pajisjet e nevojshme për të hapur kontejnerin e sapozbritur.

Anija ishte nisur nga porti i Guayaquil, në Ekuador, me emrin “Cma CGM Imagination”. Flamuri i saj ishte maltez, teksa ka bërë tranzitet e saj në Marsejë dhe Barcelonë, por skaneri në Livorno zbuloi ngarkesën. Droga, e ndarë në 36 blloqe që peshojnë pak më shumë se një kilogram secila, më pas do të digjet në një incenerator.

Vetëm dy muaj më parë u kap po në këtë port një ngarkesë tjetër e madhe, me 148 kg kokainë që vinte po nga Amerika e Jugut dhe gjithashtu u arrestuan 3 korrierë të ardhur nga Shqipëria për ta marrë atë.

Lini një Përgjigje