
Bashkim Basha dhe bashkëshortja e tij, ndodheshin në kohën dhe në vendin e gabuar teksa u gjendën në mes të shkëmbimit të zjarrit mes makinës tip Benz ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati dhe makinës së autorëve.
Ka shkuar në katër bilanci i masakrës së 30 Tetorit të Dobraç të Shkodrës, ku iu bë atentat Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Drejtuesi i motorit të aksidentuar nga makina e viktimave të atentatit, Bashkim Basha, ka ndërruar jetë në spital.
Bashkim Basha, viktimë e pafajshme, ka ndërruar jetë spital pas 5 ditëve në intubim.
67-vjeçari po udhëtonte me bashkëshorten e tij me motor kur u përplas nga makina e Licit dhe Bushatit, të cilët ishin objektivat e atentatit. Bashkëshortja e tij humbi jetën në vend.
Edhe Hamza Lici humbi jetën në momentin e atentatit, ndërsa Arlind Bushati vdiq në spital një ditë më vonë.
Autorët e ngjarjes së rëndë, tashmë me katër viktima, janë ende të paidentifikuar.
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.", njofton policia.
Si ndodhi atentati në Dobraç
Atentati që ndodhi rreth orës 15 e 50 minuta më 30 Tetor ku mbetën tre të vrarë dhe një person i plagosur.
Makina tip “Benz” u godit me breshëri kallashnikovi, ku brenda saj, në timon, ndodhej Hamza Lici, i cili humbi jetën në vend. Bashkë me të, ishte Arlind Bushati, i cili mbeti i plagosur në kokë dhe humbi jetën disa orë më vonë në spital.
Ata u qëlluan në ecje nga një mjet tip Range Rover, që po i ndiqte nga pas. Në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave makina e drejtuar nga Lici devijoi nga rruga dhe përplasi një çift bashkëshortësh që po lëviznin me një motoçikletë. Nga goditja humbi jetën Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti Bashkim Basha ndërroi jetë sot në spital.
Gjatë këqyrjes së makinës tip “Benz” me të cilën po lëviznin Lici dhe Bushati policia gjeti tre armë zjarri pistoletë dhe disa gëzhoja që sipas hetuesve është tregues që në vendin e ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri me autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të paktën dy.
Disa orë pas ngjarjes, Policia gjeti në fshatin Golem në Shkodër, të djegur plotësisht siç duket edhe në këto pamje automjetin tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Viktima Hamza Lici 23 vjeç është vëllai i Ibrahim Licit, i akuzuar se është autor i vrasjes së Endri Mustafës, në Maj të 2021-shit.
Ndërsa 32-vjeçari Arlind Bushati, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak dhe ish-kandidat për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet pjesshme të 6 marsit të vitit 2022.
Në 10 Tetor të këtij viti, Arlind Bushati denoncoi në polici se u kërcënua me armë zjarri në Pedonalen e Shkodrës nga dy persona që lëviznin me motor.
Teksa në vitin 2022, në një godinë dykatëshe në pronësi të Xhemal Bushatit, por të lëshuar me qira u vendos nga persona ende të paidentifikuar rreth 400 gramë tritol.
Autorët ende në arrati
Policia dyshon se në automjetin e autorëve kanë qenë të paktën tre persona: dy që kanë qëlluar me armë dhe shoferi i automjetit. Menjëherë pas ngjarjes, automjeti i autorëve u largua nga vendngjarja dhe u dogj pranë ish-repartit ushtarak në fshatin Golem, jo më larg se pesë minuta nga vendi ku ndodhi atentati.
Autorët janë kujdesur që automjeti të digjet plotësisht, duke mos lënë asnjë provë të vlefshme për policinë, edhe pse brenda tij janë gjetur armët që dyshohet se u përdorën në atentat. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe anëtarë të fisit Bajri, por ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi autorët, të cilët dyshohet se mund të kenë qenë të paguar dhe natyrisht të stërvitur mirë për atentate të tilla
Megjithë angazhimin e policisë, forcave RENEA dhe prokurorisë së Shkodrës, ngjarja përveç dyshimeve ende nuk ka ndonjë të dhënë konkrete për zbardhjen e plotë të saj./ Pamfleti
Lini një Përgjigje