Është publikuar fotoja e Izmir Sakicës, njërit prej 2 personave në kërkim policor për t'u marrë në pyetje për atentatin e ndodhur në Shkodër më 30 tetor.
Grupi hetimor i ngritur për masakrën me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur të 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës është vënë në kërkim të personave që dyshohet se mund të kenë qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorëve.
Përveç Sakicës, në kërkim është shpallur dhe Samuel Troshani, që janë po ashtu në kërkim për një tjetër ngjarje të ndodhur më herët më 23 gusht 2024 në Bushat të Shkodrës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre dhe 2 vëllezërve Andrea e Aleksandër Prendi.

Gjatë shkëmbimit të armëve u qëllua me breshëri plumbash në një mjet të blinduar ‘Audi’, por nuk pati të lënduar. Për këtë ngjarje në polici u shoqërua dhe Safet Bajri por më pas u la i lirë.
Si ndodhi atentati në Shkodër
Një makinë në lëvizje me autorët qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë. Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.
Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.
Në këtë masakër, e vdekur mbeti edhe një kalimtare e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin.Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.
Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ndërroi jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.
Një person i tretë dyshohet të ketë qenë brenda makinës Mercedes së bashku me dy viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Nga burimet hetimore se kjo pistë dyshimi është ngritur për shkak se brenda makinës së viktimave u gjetën 3 pistoleta. Çka mendohet se brenda mjetit kanë qenë 3 vetë.
Dhe ky person i tretë mund të jetë larguar menjëherë pas atentatit.
Nuk dihet nëse ka mbetur i lënduar ose jo, megjithatë grupi hetimor ka marrë mostra gjaku brenda mjetit dhe do të konfirmohet nëse i përkasin edhe një personi të tretë apo vetëm dy viktimave Lici e Bushati, përkatësisht 23 dhe 32 vjeç.
Gjithashtu, brenda makinës së viktimave u gjetën edhe gëzhoja armësh, çka do të thotë se ata i janë kundërpërgjigjur me armë atentatorëve.
Si pasojë e sulmit me armë, makina Benz me të cilën udhëtonin viktimat, përplasi një motorçikletë që po lëvizte në zonë, e që fatkeqësisht humbi jetën Flutura Basha dhe ka mbetur i plagosur rëndë bashkëshorti i saj Bashkim Basha, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me atentatin.
Sa u përket atentatorëve, hetuesit dyshojnë se janë vrasës me pagesë të ardhur nga Mali i Zi. Ata e dogjën makinën e përdorur në atentat, tip Range Rover, brenda së cilës u gjetën 2 kallashnikovë.
Në lidhje me pistat hetimore, nuk është përcaktuar ende motivi. Por shumë persona u shoqëruan, mes të cilëve edhe Safet Bajri. Të gjithë u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.
Ajo që dihet është se familja Lici ka qenë në konflikt të hapur me familjen Bajri. Por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Nga ana tjetër, disa javë më parë, Arlind Bushati, që është djali i Xhemal Bushatit ish-kandidatit për Bashkinë e Shkodrës, u kërcënua hapur në pedonalen e qytetit nga dy persona me motor, për të cilët ai bëri denoncim dhe tha se i nxorrën pistoletën. Por arma nuk shkrepi.
Arlind Bushati 32 vjeç ishte baba i dy fëmijëve të mitur.
Lini një Përgjigje