Dy vëllezër shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh, janë arrestuar në Itali pas 27 vitesh në arrati për gjakmarrje. Bëhet fjalë për Artur dhe Arben Mehilli, të dënuar për vrasje dhe që prej më shumë se dy dekadash i kishin shpëtuar drejtësisë.
Dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli u shpallën zyrtarisht në kërkim nga drejtësia shqiptare, çerek shekulli më parë. Në vitin 2001, Gjykata e Lushnjës i dënoi në mungesë me 32 vite burg në total, për vrasjen e të riut Rezar Metaj në vitin 1999 në Lushnjë. Ngjarja u konsiderua si hakmarrje, pasi në vitin 1997 viktima kishte vrarë vëllanë e tyre, Sokol Mëhilli, pa u arrestuar nga policia.
Pas krimit, dy vëllezërit u larguan drejt Italisë, ku për më shumë se 25 vite jetuan në arrati. Me identitete të rreme, të regjistruar si Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, ata arritën të ndërtonin jetën në shtetin fqinj dhe të siguronin edhe leje qëndrimi.
Zbulimi i tyre erdhi pas një informacioni nga Italia, sipas të cilit disa familjarë të tyre jetonin në të njëjtën zonë me dy persona me identitete të dyshimta. Në mungesë të gjurmëve të gishtërinjve në Shqipëri, Interpol Tirana siguroi fotografi të vjetra të dy vëllezërve.
Për të konfirmuar identitetin, autoritetet përdorën teknologjinë moderne “Facial Recognition”. Krahasimi i tipareve mes fotove të vjetra dhe imazheve të dërguara nga pala italiane çoi në përfundimin se bëhej fjalë për të njëjtët persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kohën e krimit, Arturi ishte 33 vjeç dhe Arbeni 27. Sot, ata janë arrestuar në Itali në moshën 60 dhe 54 vjeç. Dy vëllezërit janë dënuar me 32 vite burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Sokol Mëhilli, i vrarë në vitin 1997, rezulton të jetë babai i gazetarit Stenaldo Mëhilli, i njohur së fundmi për publikun nga pjesëmarrja në një reality show, ku ka rrëfyer se humbi të atin kur ishte vetëm një muajsh.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë për të përfunduar procedurat e ekstradimit të Artur dhe Arben Mëhillit drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajnë dënimin.
Lini një Përgjigje