Emri i Luzit u përmend një ditë para arrestimit të tij më 18 korrik nga Alda Nikolli, në një intervistë për Top Channel.
Me pretendimin se Nuredinin Dumani vijon aktivitetin kriminal brenda qelisë, Nikolli tha se i penduari i drejtësisë vendos gjoba nga qelia. Sipas saj, Dumani “do t’i vendoste gjobë edhe Leonard Luzit”.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.
47-vjeçari Leonard Luzi alias Leonard Sejno është ekstraduar nga Spanja pasi akuzohet se kishte organizuar në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës.
GJKKO i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi ekzekutori Amarildo Nikolli u arrestua para se të kryente vrasjet. Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Pas arrestimit ai zbërtheu planin për për vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ergys Matodashajt. Pas rrëfimeve të bëra përpara hetuesve, Amarildo Nikolli mori statusin e të penduarit të drejtësisë dhe tashmë dosja penale ndaj tij po trajtohet nga SPAK.
Po me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për dy atentatet e dështuara, në pranga është vënë Muharem Koroveshi. Sipas SPAK, vrasja e Hajrullas dhe Matodashajt ishte planifikuar nga Leonard Luzi në shenjë hakmarrje.
Sjellim në vëmendje se Leonard Luzi u arrestua në Spanjë në Korrik 2024 me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. 47-vjeçari u kap në Madrid, falë shkëmbimit të informacionit nga Interpol Tirana.
Lini një Përgjigje