TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Janar 2026, 09:36

U arrestuan pas arratisjes së Altin Ndocit, 8 zyrtarët dalin sot para gjykatës

Shkruar nga Pamfleti

U arrestuan pas arratisjes së Altin Ndocit, 8 zyrtarët dalin sot para

Tetë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, do të dalin sot, para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela.

Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.

Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion, ndërsa është ‘shkrirë’ gjithë zinxhiri komandues i këtij institucioni.

Emrat e të arrestuarve:

Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Si ndodhi ngjarja?

Altin Ndoci, një prej emrave më të shumëpërfolur të botës së krimit i pandehur në procesin “Plumbi i Artë” dhe i cilësuar si vrasësi me pagesë i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, u arratis të martën nga ambientet e spitalit rajonal në Durrës.

Ai ishte shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgjeve për vizita mjekësore në repartin Infektiv në dhomën e posaçme ku trajtohen të paraburgosurit apo të dënuarit, për shkak se kishte shfaqur probleme me veshkat. Bashkë me Ndocin për vizitë në spital ndodhej edhe një i paraburgosur tjetër.

Pasi ka kërkuar të shkojë në tualet, Ndoci ka goditur një nga 3 punonjësit e policisë së burgjeve dhe është larguar. Mësohet se një nga policët ka qëlluar në ajër teksa ndiqte Ndocin, por ai është larguar me shpejtësi drejt parkimit.

Në parkimin e spitalit e priste një Audi të bardhë, A7, me targa AA700RS dhe sapo ka hipur në të, mjeti ka lëvizur në drejtim të Spitallës duke humbur më pas çdo gjurmë.

I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë, 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohet vrasje me pagesë.

Ai akuzohej në këtë proces për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, ngjarje të cilën e implikoi vrasësi me pagesë Nuredin Dumani që mban statusin e të penduarit të drejtësisë. Për të kryer këtë vrasje ai ishte rekrutuar nga Talo Çela, dikur mik e më pas armik me Nuredin Dumanin.

Pas përplasjes së dy miqve, Dumani veproi për llogari të Erion ALibej, kundërshtar me Çopjat, ndërsa Talo Cela për llogari të Franc e Hajdar Copjas.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Ndoci kishte vepruar si vrasës për llogari të organizatës Çopja. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Lini një Përgjigje