
Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor avokatin Besart Logu për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 245/1/4 të Kodit Penal.
Procesi gjyqësor është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe trupa gjykuese, e përbërë nga Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, ka vendosur ta dënojë Logun me 2 vjet burg. Dënimi më pas u reduktua me 1/3, sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke përfunduar në 1 vit e 4 muaj. Gjykata urdhëroi pezullimin e burgimit, duke e vendosur Logun në një periudhë prove prej 2 vjet e 8 muaj.
Logu, përveç kufizimit penal, do të përballet edhe me pasoja profesionale; gjykata i hoqi të drejtën për të ushtruar profesionin e avokatit për 9 muaj. Po ashtu, të gjitha shpenzimet procedurale të hetimit dhe gjykimit do të mbulohen nga i dënuari.
Vendimi u bazua në prova të mbledhura nga SPAK, përfshirë materiale audio dhe video, përgjime ambientale dhe komunikime të regjistruara më datat 9 dhe 13 dhjetor 2024 mes Logut dhe agjentëve të infiltruar të drejtësisë. Këto prova rezultuan vendimtare për të provuar ndikimin e paligjshëm të ushtruar nga i pandehuri ndaj funksionarëve publikë.
Lini një Përgjigje