Altin Ndoci u arratis 3 ditë më parë në mënyrë spektakolare nga spitali i Durrësit, atje ku kishte shkuar për t’iu nënshtruar disa analizave mjekësore. Ndoci doli me vrap nga dhoma e mjekut dhe nga kati i 3-të zbriti shkallët, doli në oborrin e spitalit, ku humbi gjurmët, pasi një automjet e priste. Kjo skemë tregon se arratisja ishte e organizuar, ndërsa Ndoci është ndihmuar nga persona të 3-të.
Prokuroria e Durrësit po heton pikërisht mbi personat që dyshohet se kanë ndihmuar të paraburgosurin, që mbahej në qeli me kërkesë të SPAK dhe vendime të GJKKO-së, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Po kush janë personat që po hetohen nga Prokuroria?
Sipas raportimeve, Ndoci ka zhvilluar gjatë muajve të fundit takime me Izmir Kusin dhe Edmond Gjyzelin. Pikërisht këta persona po verifikohen nëse kanë ndihmuar ose kanë lidhje me arratisjen e Ndocit.
Grupi hetimor ende nuk ka arritur të marrë dëshmitë e tyre, që rezultojnë persona të skeduar nga drejtësia.
Pritet që marrja e dëshmive të hedhë më shumë dritë mbi rolin e tyre, ndërsa do të jetë organi i akuzës që i duhet të provojë më pas, nëse ata janë të implikuar ose jo në arratisjen e Ndocit.
Ky i fundit është akuzuar nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani lidhur me disa ngjarje kriminale. Ai konsiderohet si vrasës me pagesë në shërbim të grupit të “Çopjave”.
Lini një Përgjigje