Dy persona të shpallur në kërkim janë arrestuar, ndërsa për arrestimin e tyre kanë bashkëpunuar strukturat e tre drejtorive të Policisë në Qarqe.
Në një njoftim zyrtar thuhet se të arrestuarit janë Taulant Bejko dhe Artmirnejdi Kasaj, të dy të shpallur në kërkim. Bejko akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa Kasaj për veprat “Mashtrim” dhe “largimi i të burgosuit nga vendi i qëndrimit”.
“Kapen, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, dy persona të shpallur në kërkim, për veprat penale “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim T. B., 39 vjeç, banues në Shkodër.
Gjykata e Durrësit, më datë 31.07.2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Po në vijim të operacionit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u bë e mundur kapja e personit tjetër në kërkim, shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Mashtrim”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit.
Lini një Përgjigje