Një operacion i përbashkët mes autoriteteve të drejtësisë së Shqipërisë dhe Kosovës ka bërë të mundur shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë, ndërsa janë lëshuar 14 urdhërarreste.
Për zbulimin e grupit janë përdorur agjentë të infiltruar që kanë kryer blerje të stimuluar. Skuadra e përbashkët hetimore midis prokurorisë së Tiranës dhe Kosovës hetuan përgjatë 6 muajsh skemën e shitjes së armëve që dyshohen se silleshin nga Ferizaj.
Ndërkohë pak muaj më parë u arrestuan katër shtetas në afërsi të një qendre tregtarë në Tiranë. Pas kësaj hetimet e përbashkëta identifikuan se shtetasi nga Kosova Valter Osmani kishte krijuar një linje për shitjen e armëve dhe trafikun e tyre.
Armët ka dyshime se silleshin në Shqipëri, të llojit Zoraki dhe shiteshin me çmime që nisin nga 900 euro.
Nga hetimi është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri. Trafikantët përdornin ditën e shtunë dhe të dielë për kalimin në kufi pasi sipas një marrëveshje, makinat nuk kontrolloheshin dhe kjo ishte në favor të trafikantëve.
Shpesh herë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo vetëm me para, por edhe me kokainë.
Këtu futet roli i Euxhenio Manushit, i arrestuar pak ditë më parë në një operacion antidrogë. Sipas policisë, ky i fundit interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë. Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës me lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjellë armë zjarri. Policia e Tiranës po verifikon episode ku armët e sjella nga Turqia disa herë kanë tentuar të trafikoheshin edhe në vendet e tjera fqinje, për të cilët nëse provohet, do t’i rëndohet akuza e personave nën hetim.
Në dy fazat e operacionit, në vendin tonë janë arrestuar 10 persona dhe në Kosovë 13 shtetas.
Lini një Përgjigje