Porositë e kokainës bëheshin përmes telefonit dhe droga shpërndahej direkt në banesa, me një skemë të ngjashme me shërbimet “delivery” për ushqime apo pica.
Një operacion i policisë në Treviso të Italisë çoi në arrestimin e dy shqiptarëve, të moshës 23 dhe 29 vjeç, të dyshuar për trafik droge. Ata u kapën në flagrancë teksa po shisnin kokainë tek dy blerës italianë në Treviso dhe Silea.
Sipas hetimeve, të dy përdornin automjete të regjistruara në emër të personave të tjerë, të palidhur me aktivitetin kriminal, si edhe linja telefonike të posaçme për shpërndarjen e drogës. Gjatë operacionit policor u sekuestruan rreth 60 gramë kokainë dhe më shumë se 20 mijë euro cash.
Pas arrestimit, dy shqiptarët u paraqitën në gjykim të përshpejtuar dhe u dënuan përkatësisht me tetë dhe njëmbëdhjetë muaj burg.
Rasti i parë lidhet me 23-vjeçarin shqiptar, i cili u ndalua në Via delle Marie në Treviso, ndërsa po i shiste një dozë kokaine një blerësi për 60 euro. Gjatë kontrollit, policia gjeti paratë e transaksionit dhe një enë metalike me magnet të fshehur poshtë makinës, ku ndodheshin 34 doza kokaine të gatshme për shitje. Kontrolli në banesën e tij çoi edhe në sekuestrimin e 16 mijë eurove të fshehura në një jastëk divani.
Po atë ditë, autoritetet arrestuan edhe shqiptarin 29-vjeçar në Via Treviso në Silea, teksa po i shiste pesë doza kokaine një qytetari italian për 300 euro.
Edhe në këtë rast, policia zbuloi një enë metalike me magnet të fshehur nën automjet, ku ndodheshin 23 doza kokaine të gatshme për tregtim, si dhe shumën e parave të përfituara nga shitja. Nga kontrolli në banesën e tij u sekuestruan gjithashtu 4 mijë euro, raportojnë mediat italiane.
Lini një Përgjigje