Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe u vu në pranga shtetasi Hajdar Bako alias Hajdar Çopja alias Hajdar Hysa. Ky person 7 vite më parë në një ngjarje të rëndë në Elbasan plagosi 3 persona me armë zjarri.
'U kap në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtetasi Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, i lindur në Elbasan, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, ky shtetas, së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 shtetas.', njofton policia.
Kujtojmë se në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, 40 vjeçari së bashku me 4 persona të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 persona. Ngjarja ndodhi në një lokal pranë autostradës Elbasan-Tiranë në Bradashesh.
Në konflikt u përfshinë shtetasit Hajdar Bako dhe F.G, 25 vjeç njëra palë dhe në palën tjetër janë përfshirë shtetasit Alfred Gjini, Klevis Gjini dhe Emiljano Gjini.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta e më pas me armë zjarri u plagosen dy shtetas me armë zjarri dhe 2 shtetas u dëmtuan me sende të forta. Konkretisht Hajdar Bako mbeti i plagosur me armë zjarri në krahun e djathtë, Klevis Gjini i plagosur me armë zjarri në këmbën e djathtë. Dëmtime të tjera fizike me mjete të forta në kokë moren shtetasit Alfred Gjini dhe Emiljano Gjini.
Kush është Hajdar Çopja?
Hajdar Bako shfaqet si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.
Në dosjen hetimore bie në sy se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.
Sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Nuredin Dumani tregon se vetëm për “kokën”, e Arjan Spahiut, kunatit të Erjon Alibej, i është afruar një shumë prej 300 mijë euro.
Vetë Dumani, ka pranuar në SPAK se ka mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.
“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…”, shprehet Dumani.
Por ky i fundit tregon se çdo informacion apo plan që merrte për vrasjen e anëtarëve të grupit të Alibejt, ai ja përcillte Arjan Spahisë. Dhe një gjë të tillë e ka bërë edhe kur Kel Kamami ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit” që tashmë qëndron gjithashtu në Dubai, i ka kërkuar vrasjen e Erjon Alibejt.
Për shkak se Dumani ka shfaqur besueshmëri dhe besnikëri në ndarjen e informacionit, Alibej dhe Spahiu, e kanë vënë atë në provë duke i kërkuar të vinte në zbatim planin për spastrimin e një liste emrash që kishin marrë pjesë në vrasjen e Enea Alibej, Arben Dylgjerit, Erdal Durunay dhe Andi Zylyfit.
I pari që është vrarë në këtë listë ka qenë Dorjan Shkoza, kundrejt një pagese prej 50 mijë euro, shumë kjo që është sjellë tek Dumani nga Erjon Alibej, përmes kushëririt të Eljo Bitrit i quajtur Fati Koçi, i cili aktualisht është në burg në Belgjikë.
“…në vrasjen e Dorjan Shkozës, ka mbetur i vdekur dhe Anxhelo Avdija. Dua të shtoj që Klevis Alla,më është shprehur pas ngjarjes që kishte pasur interes për vrasjen e Anxhelo Avdijsë, pasi ky i fundit i kishte bërë video intime motrës së Klevisit…”, thotë Dumani.
Pas vrasjes së Dorjan Shkozës, ai i ka shkuar Arjan Spahisë një simbol në telefon, që nënkuptonte vrasje.
Lini një Përgjigje