
Është arrestuar ditën e sotme Gentian Peshku, administratori dhe brigadieri i minierës në Thekën të Martaneshit, ku humbi jetën 29-vjeçari Armond Peshku.
Gjithashtu në minierë u plagos dhe 40 vjeçari Hajdar Bala.
Ndërkohë behet me dije se administratori dhe viktima janë kushërinj.
"Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një galeri kromi, në fshatin Thekën, Martanesh, ku gjatë procesit të punës, humbi jetën shtetasi A. P., 29 vjeç dhe u dëmtua rëndë shtetasi H. B., 40 vjeç, të dy vagonistë në këtë galeri, ju bëjmë me dije se: Komisariati i Policisë Bulqizë arrestoi në flagrancë shtetasin G. P., 38 vjeç, banues në Bulqizë, me detyra administrator dhe brigadier në subjektin minerar", njofton policia.
Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galeri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë poshtë 29 vjeçarin dhe 40 vjeçarin. Ky i fundit vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Subjekti minerar 'Ylberi sh.p.k" në të cilin ka ndodhur aksidenti është në pronësi të Ylber Dodës.
Lini një Përgjigje