Është dorëzuar në polici, i shoqëruar nga avokati i tij, 64-vjeçari shqiptar i cili akuzohet për tentativë përdhunimi ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara në zonën e Kypselit, në Greqi.
Sipas raportimeve të mediave greke, ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë brenda banesës së të resë. Dyshohet se 64-vjeçari ka tentuar të abuzojë me të, por situata është zbuluar nga nëna e vajzës përmes kamerave të sigurisë të instaluara në shtëpi.
Nëna e 25-vjeçares ka njoftuar menjëherë policinë greke dhe, sapo është kthyer në banesë, ka gjetur vajzën e saj në gjendje të rënduar emocionale.
Sipas të dhënave paraprake, mes saj dhe të dyshuarit ka pasur një përplasje fizike. Gruaja e ka goditur 64-vjeçarin në kokë me një tigan dhe më pas e ka ndjekur me një thikë, por ai ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Sipas nënës së 25-vjeçares, ekzaminimi mjeko-ligjor tregoi se nuk kishte ndodhur përdhunim, një fakt që nuk e priste.
Mediat greke raportojnë se shqiptari ishte një person i besuar për familjen pasi i ndihmonte për blerjet, ndërsa me nënën e vajzës ishte njohur në kafenenë e kishës. E reja 25-vjeçare mësohet se ka edhe një motër binjake, po ashtu me aftësi të kufizuara.
Në të njëjtën kohë, vajza biologjike e 64-vjeçarit pretendon se babai i saj e përdhunoi në moshën shtatë vjeç. Duke folur për MEGA, vajza zbuloi se 64-vjeçari e përdhunoi kur ishte vetëm shtatë vjeç në shtëpinë e tyre në Shqipëri.
“Kur isha shtatë vjeçe, babai im më përdhunoi një herë në Shqipëri, kur të gjithë mungonin nga shtëpia. Nuk e denoncova kurrë, sepse kisha frikë. Sot nuk kam asnjë marrëdhënie me këtë njeri, jemi zënë shumë keq. Ia përmenda para disa kohësh gjatë një sherri se më kishte abuzuar seksualisht dhe ai u përpoq të më nxirrte të çmendur, duke thënë se nuk di çfarë flas dhe se i kam sajuar nga mendja”, ka deklaruar ajo për mediat greke.
Sipas raportimeve, e reja e mbajti për vite me radhë si një sekret të errët makthin që përjetoi në duart e babait të saj. Kur vendosi ta denonconte, pothuajse e gjithë familja dhe rrethi i afërt i kthyen shpinën.
“Doja ta denoncoja, por më thanë se kishin kaluar shumë vite dhe se nuk do të çonte askund, pasi nuk mund ta provoja tani. Nëna ime e dinte çfarë kishte bërë dhe nuk bëri asgjë për këtë. Nuk dua asnjë kontakt me asnjërin prej tyre. Ajo që më lëndoi më shumë ishte kur ua tregova vëllezërve dhe motrave të mi… Edhe ata mbajtën anën e tyre dhe që atëherë kam ndërprerë çdo kontakt me ta”, ka treguar ajo.
Lini një Përgjigje