TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Shkurt 2026, 13:53

“Na ofendoi rëndë”/ Si u vra Egli Pashollari, gruaja e autorit tregon momentet fatale

Shkruar nga Pamfleti
“Na ofendoi rëndë”/ Si u vra Egli Pashollari, gruaja e
Gazment Buçpapaj-Autori

Zbardhet dëshmia e plotë e Laureta Buçpapaj, bashkëshortja e Gazment Buçpapajt, i shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Egli Pashollarit. Në deklarimin e saj para policisë, ajo ka përshkruar lëvizjet dhe konfliktin që parapriu ngjarjen e rëndë.

Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja Xhensila Kodra, Laureta Buçpapaj ka treguar se më 20 shkurt, rreth orës 15:05, pas përfundimit të orarit të punës, është larguar me një automjet tip “Audi” që drejtohej nga bashkëshorti i saj.

Gjatë lëvizjes në zonën e rrugës “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në “Kongresi i Lushnjës”, ajo ka deklaruar se është krijuar një situatë tensioni me një automjet ngjyrë gri. Sipas saj, mjeti në fjalë u kishte bllokuar rrugën, ndërsa bashkëshorti i saj kishte përdorur borinë për t’i kërkuar hapjen e rrugës.

Ajo ka pohuar se nga mjeti tjetër kishin dëgjuar ofendime, por kishin vijuar rrugën. Megjithatë, pak më vonë, e njëjta makinë ka lëvizur ngadalë përpara tyre dhe më pas ka ndaluar.

“Ka dalë shoferi, një djalë rreth 30 vjeç, me trup të dobët, i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, dhe është afruar drejt mjetit tonë”, ka deklaruar ajo.

Në këto rrethana, sipas dëshmisë, nga automjeti ka zbritur edhe Gazment Buçpapaj dhe mes tyre ka nisur një përplasje fizike me grushte. Laureta Buçpapaj ka thënë se edhe ajo ka ndërhyrë, duke shtyrë drejtuesin e mjetit dhe një prej personave që e shoqëronte.

Pas disa çastesh, ajo ka vënë re se shoferi i mjetit tjetër ishte gjakosur. Më pas, sipas saj, bashkëshorti e ka kapur nga krahu dhe janë larguar me automjetin e tyre.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezulton se rreth 50 metra nga vendi i konfliktit, çifti ka braktisur automjetin dhe është larguar në këmbë drejt rrugës së Kavajës, ku më pas kanë marrë një taksi për në banesën e tyre në zonën e “Sharrës”.

Në dëshminë e saj, Laureta Buçpapaj ka deklaruar se bashkëshorti ka ndërruar rrobat në banesë dhe është larguar në këmbë drejt qendrës së Tiranës, pa marrë me vete telefonin celular. Ajo ka shtuar se nuk ka më dijeni për vendndodhjen e tij.

Ndër të tjera, ajo ka pohuar se nuk e ka parë momentin e goditjes fatale, por dyshon se bashkëshorti mund ta ketë goditur viktimën me një thikë me palosje, të cilën sipas saj e mbante në automjet.

Pas ngjarjes, Gazment Buçpapaj vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së Egli Pashollarit janë në vijim.

Lini një Përgjigje