
Gjyqi për dosjen “Plumbi i Artë” është shoqëruar me tensione gjatë seancës së sotme.
Një incident ka ndodhur në seancën gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë”.
Avokati Ilir Dyzeni, mbrojtës i Besian Xhixhës, ka dalë nga seanca pasi është kërcënuar nga Nuredin Dumani. Sipas Dyzenit, Nuredin Dumani i ka thënë që je në ofertë (për ta vrarë). Avokati u shpreh se ky është presion, kërcënim i pastër ndërsa iu drejtua prokurorit të SPAK duke i thënë se "bën sehir dhe nuk reagon".
Seanca është ndërprerë dhe gjykata ka nxjerrë nga salla Nuredin Dumanin.
“Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë të fus në listë, je në ofertë”, tha i revoltuar avokati.
Ndërkohë, dy vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani dhe ushtari i tij Henrik Hoxha, të kthyer në të penduar të drejtësisë, kanë rrëfyer se kush qëndron pas porosisë së atentatit të dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha, ngjarje e ndodhur tek zona e “Liqenit të Thatë” më 18 Janar 2022.
Nuredin Dumani ka rrëfyer se atentatin ndaj biznesmenit e porositi Aleksandër Baho, i njohur me nofkën “Sakati”, duke shtuar se Henrik Hoxhës i ka premtuar një shumë prej 150 mijë euro për kryejen e vrasjes.
Ky i fundit ka ndërhyrë duke thënë që porosia është dhënë për djalin e biznesmenit, por më pas u ndryshua.
“Është marrë porosia për djalin e Lulëzim Mashës. Nuk u gjend ai dhe pastaj shkoi porosia për Lulëzim Mashën, që ai të vinte tek varrimi. Porosia ishte nga sakati, Aleksandër Baho”, tha Henrik Hoxha.
Lini një Përgjigje