TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Dhjetor 2025, 15:18

SKANDAL/ Lirohen 50 mln euro pasuri kriminale; Gjykata e Tiranës refuzon sekuestron ndaj Kristjan Boçit dhe Elman Abules

Shkruar nga Pamfleti

Prokuroria kërkoi sekuestron e 20 pronave të trafikantëve Kristjan Boçi dhe Elman Abule. Pasuritë me vlerë 50 milionë euro u liruan nga gjykata...

SKANDAL/ Lirohen 50 mln euro pasuri kriminale; Gjykata e Tiranës refuzon
Foto ilustruese

Gjyqtari i Tiranës, Altin Abdiu, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e 20 pasurive të përfshira në hetimin për pastrim parash kundrejt Kristjan Boçit dhe Elman Abules. Vendimi ka liruar vila, apartamente, biznese dhe shoqëri tregtare që policia i vlerëson me rreth 50 milionë euro.

Elman Abule rezulton i dënuar në Belgjikë. Interpol njoftoi autoritetet shqiptare më 12 shtator 2023 se Abule është dënuar më 17 janar 2007 në Antverp me 30 muaj burg për vjedhje me thyerje, përdorim çelësash të kopjuar dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar. 

Në dosje përfshihet edhe Kristjan Boçi. Boçi ka qenë i arrestuar në Itali në vitin 2011 në kuadër të një operacioni të forcave të rendit italiane për trafik ndërkombëtar të narkotikëve. Autoritetet italiane e lidhin Boçin me një rrjet personash që trafikonte sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike drejt vendeve të Europës Perëndimore.

Hetimet italiane ndaj tij kanë përfshirë bashkëpunimin me persona të shpallur me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe janë shoqëruar me sekuestrime të drogës në pikëkalime kufitare. Boçi ka qenë ortak me Abulen në “Rametal” dhe “Ferro Chrome Holding”. Të dhënat e hetimit tregojnë se këto shoqëri janë përdorur për të justifikuar qarkullimin e kapitalit lidhur me aktivitetet e paligjshme.

Në dosje përmendet edhe Vladimir Avrami dhe katër persona të tjerë si bashkëpunëtorë në aktivitetet e dyshuara kriminale. Hetimi i prokurorisë ka përfshirë analiza bankare, verifikime mbi pronësinë e pasurive dhe lidhjet e tyre me lëvizje të parave që policia i ka etiketuar si të paligjshme.

Në qershor 2024 Gjykata e Tiranës vendosi sekuestrim të pasurive. Trupa gjykuese atëherë argumentoi se Abule dhe Boçi kishin ngritur një rrjet shoqërish për të fshehur fitimet e aktivitetit kriminal dhe për të qarkulluar produktet e krimit në ekonomi.

Në korrik 2024 Apeli e prishi vendimin. Arsyetimi u mbështet në deklarimin e prokurores Arta Marku në sallë, e cila konstatoi se vendimi i shkallës së parë nuk kishte arsyetim të mjaftueshëm dhe kishte ngatërruar Ligjin Antimafia me Kodin e Procedurës Penale.

Pas rekursit të të dyja palëve, Gjykata e Lartë la në fuqi rikthimin për rigjykim. Në short çështja shkoi te gjyqtari Altin Abdiu. Ai është rikthyer në detyrë në qershor 2025 me vendim të Komisionit të Posaçëm të Apelimit. Tani Abdiu ka liruar pronat dhe ka mbyllur përkohësisht përplasjen për sekuestrim.

Prokuroria e Tiranës do të apelojë përsëri. Ekspertiza financiare vazhdon për të përcaktuar nëse pasuritë e krijuara nga personat e proceduar kanë burim ekonomik të tregtueshëm me të ardhurat e tyre të ligjshme./Pamfleti

 

kristian boci elman abule lirohen 50 mln euro pasuri

Lini një Përgjigje