TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Dhjetor 2025, 15:02

Vrasja e ish-efektivit Roland Rexhepi, Gjykata e Elbasanit liron nga qelia Donald Hoxhën

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e ish-efektivit Roland Rexhepi, Gjykata e Elbasanit liron nga qelia
Donald Hoxha

Gjykata e Elbasanit ka liruar Donald Hoxhën, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Roland Rexhepi, krim i ndodhur në vitin 2009.

Prokuroria kërkoi 16 vite burgim për Hoxhën, i dyshuar për akuzën e vrasjes me paramendim, në rolin e ndihmësit në vrasjen e Rexhepit.

34-vjeçari Donald Hoxha u arrestua në Londër dhe u ekstradua nga Britania e Madhe në prill të vitit 2024.

Ai akuzohet se në datën 22 korrik 2009 në qytetin e Elbasanit në bashkëpunim me shtetasit Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, kanë vrarë me arme zjarri ish-efektivin Roland Rexhepin.

Ish-efektivi, i njohur ndryshe edhe si “Doda” u ekzekutua me dy armë tip kallashnikov mëngjesin e 22 korrikut pranë banesës së tij teksa po shkonte te parkingu ku kishte makinën.

Donald Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe municionit”.

Donald Hoxha, i akuzuar si një nga personat e përfshirë në rolin e ndihmësit në vrasjen e ish-oficerit të Antidrogës, Roland Rexhepit, është shpallur i pafajshëm nga gjykata e Elbasanit. Vendimi u mor këtë të martë, në një kohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin e të pandehurit me 16 vite burgim, për akuzën e vrasjes me paramendim të ish-oficerit të Antidrogës.

Më herët për vrasjen e Dodës, janë dënuar Florind Shabani, Armand Llakaj, Marjus Tafaj, ndërsa Gëzim Balla vijon të jetë në kërkim.

Lini një Përgjigje