
32-vjeçari Ermando Lekaj është arrestuar nga policia e Lezhës pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit fizik, në automjetin dhe banesën e tij, u sekuestruan doza kokaine dhe kanabisi.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të shitjes së dozave të kokainës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Holder”.
Gjatë operacionit, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Ermando Lekaj, 32 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 32-vjeçarit, kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje